Kosova
Vajzat shqiptare që ia kanë dalë në botë
Fermat shqiptare, model suksesi nëpër botë
Tashmë është dëshmuar se një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve në botë po depërtojnë në shumë fusha të ndryshme, duke treguar suksese të mëdha.
Duke qenë se me punë e angazhim individual çdokund në botë mund të dalë sportist a sportiste, studiues a studiuese, artist a artiste, e madje edhe shkencëtar a shkencëtare kulminante, kohët e fundit këtë primat e kanë marrë edhe vajzat shqiptare nëpër botë.
Kësaj radhe, për dallim nga herët e tjera, Albinfo.ch ju sjell disa storie suksesi që kanë të bëjnë me profesione të ndryshme të femrave shqiptare.
Yllka Ibrahimi – Gjermani, me origjinë është nga Kosova, tani jeton në Gjermani. Ajo ka diplomuar në HAMK International Business më 2017, ka pasur një karrierë shumë të gjithanshme, duke përfshirë punën për Applift dhe aktualisht është e angazhuar në TikTok, shkruan albinfo.ch.
Yllka mban diplomë të dyfishtë në Gjermani në Technische Hochschule Deggendorf, ku filloi një praktikë në zhvillimin e biznesit në Berlin. Dhe, tani në kompaninë Tik Tok mban pozitën e Menaxherës së Brendeve të Ndryshme.
Plarenta Deshishku – Irlandë, jeton dhe zhvillon karrierën e saj në Dublin, ka diplomuar për Administrim Biznes dhe Menaxhim të Përgjithshëm në “ESCP Business School”, kurse studimet pasuniversitare i ka ndjekur në “Trinity College Dublin”.
Nga viti 2021 ajo është bërë pjesë e departamentit të “Global Operations” në rrjetin social Facebook, si “Market Specialist”. Plarenta Deshishku është lindur dhe rritur në Kosovë dhe tani konsiderohet storie suksesi në Irlandë, shkruan tutje albinfo.ch.
Arbenita Sopaj – Japoni, punon si ligjëruese në Universitetin Kobe në Japoni dhe asistente pranë Organizatës Globale të Paqes, gjithashtu është edhe asistente pranë Këshillit Akademik në Sistemin e Kombeve të Bashkuara me zyrë në Tokio.
Ajo ka përfunduar shkollimin e mesëm në Kosovë, më pas studimet në Universitetin e Prishtinës dhe mandej në Poloni, në Universitetin e njohur dhe historik të “Jagiellonian” për Integrime Europiane. Ndërkohë studimet master i ka përfunduar në Japoni, në Universitetin “Kobe”.
Albiona Ajeti – Kanada, është 23-vjeçe, e diplomuar në Fakultetin e Biznesit Global dhe Artit Digjital në Univeristy of Waterloo.
Ajo është storie suksesi e lindur dhe rritur në Ferizaj. Tashmë në Kanada llogaritet krijuese e lojërave për dyqanin e aplikacioneve të Apple dhe Google Play. Albiona së fundmi ka krijuar dy lojëra për gjigantin botëror Apple dhe Google Play, lojëra të cilat quhen “Balkan Hero” dhe “Flaming Target”, shkruan albinfo.ch.
Aldona Doku – Itali, tash e sa vjet është pjesë e kompanisë së njohur për modë dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Donatella Versace.
Fillimisht Aldona u angazhua me auditimin ligjor të disa prej kompanive më të mëdha në Itali, si Luxottica, ndër kompanitë më të mëdha në rang botëror për dizajnim, prodhim dhe tregtimin e syzeve Pirelli, lider në industrinë e prodhimit të gomave, Cameron e Shlumberger Italy që janë ndër kompanitë numër 1 në prodhimin e valvulave në industrinë e vajit dhe gasit. Pas gati tre vjetësh eksperiencë profesionale në auditim në Milano, ajo mori ofertën për të punuar në kompaninë prestigjoze Gianni Versace Srl.
Mihane Beqiri – Kosovë, është diplomate, poliglote, aktiviste për të drejtat njerëzore, anëtare e Aleancës Rinore Botërore, ambientaliste dhe poete. Ajo është përfaqësuese zyrtare nga Kosova në Organizatën Botërore të Prosperitetit (WPO), shkruan tutje albinfo.ch.
Mihanja është aktiviste për të drejtat e njeriut dhe anëtare e Aleancës Rinore Botërore të themeluar në Belgjikë. Ajo flet rrjedhshëm 5 gjuhë të botës, si: anglisht, frëngjisht, italisht, turqisht dhe hindi dhe dëshiron që imazhi i Kosovës të shihet dhe të vlerësohet në mbarë botën.
Juliana Cici – Zvicër, ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë në Tiranë, ndërsa Masterin në të Drejtën Europiane dhe Ndërkombëtare pranë Fakultetit të Drejtësisë, në Universitetin e Gjenevës.
Ajo aktualisht punon si konsulente ligjore pranë kompanisë ndërkombëtare Business Cost Management (BCM), me seli në Gjenevë. Një kompani lider prej 30 vjetësh në menaxhim risku dhe rritjen e të ardhurave; prokurime dhe konsulenca ligjore me një prezencë në tri kontinente.
Mira Mezini – Gjermani, autore e 233 artikujve shkencorë të indeksuar në Scopus List dhe i 293 artikujve të kuotuar në Research Gate, e cilësuar kërkuese shkencore ekselente, me njohje dhe vlerësim ndërkombëtar në fusha shumë të rëndësishme të shkencave kompjuterike, si gjuhët e programimit dhe paradigmat, zhvillimi i softuerëve të automatizuar, analiza e programeve dhe siguria e softuerëve; bashkëthemeluese e nëndisiplinës mbi paradigmën e zhvillimit të softuerëve të orientuar, duke vendosur parime të reja shkencore.
Ajo është inxhiniere për shkencat kompjuterike në Universitetin Teknik të Darmshtadit në Gjermani. Së fundmi ka fituar çmimin prestigjioz “LOEWE Top Profesorship“.
Revista Albinfo.ch në numrat e saj të rinj do të sjellë intervista ekskluzive, të zgjeruara lidhur me këto portrete të lartpërmendura, e po ashtu edhe profile të reja suksesi. /Albinfo.ch
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa