Shqipëria

Rama e quan BE-në “dashuri të ashpër”, por aleat të fortë

Në kuadër të qëndrimit të tij në Bruksel, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, foli për kompleksitetin e marrëdhënieve të Shqipërisë me burokracitë e Bashkimit Evropian, përcjell albinfo.ch.

“Bashkimi Evropian, ne jo ende, është një krijesë mjaft e vështirë për t’u marrë, duhet të kesh nerva mjaft të forta, duhet të jesh mjaft i përgatitur për të mos e lënë të të zërë depresioni para se të të zërë BE-ja. Ndërkohë, është dashuri e ashpër. Është një rrugë që duhet ta përshkosh, e ku merr mësime dhe ku për shkak të zhgënjimit, ndonjëherë mendon se ka rrugë të lehta në drejtime të tjera, por më duhet të them që në asnjë drejtim tjetër nuk do të gjesh një mik e një aleat që është i fortë e që kurrë, asnjëherë nuk do të të sulmojë dhe ky është Bashkimi Evropian”, tha Rama. Këtë deklaratë ai e dha gjatë fjalës së tij në forumin “Global Gateway”.