Shqipëria

Gjuha arbëreshe në shkollat e Kalabrisë

Gjuha arbëreshe në të gjitha shkollat e Kalabrisë. Ky është synimi i arbëreshëve që jetojnë në Itali e të cilët ndër gjenerata ruajnë kulturën e traditên.

Ata po i viziton presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj. Në ditën e dytë të vizitës në Kozenca të Kalabrisë, u ndal edhe në “Spezzano Albanese”, ku u prit nga komuniteti arbëresh dhe autoritetet vendore. Në takimet e zhvilluara me autoritetet vendore në “Spezzano Albanese”, kryetari i kësaj komune e njoftoi Begajn me iniciativën e përfshirjes së gjuhës arbëreshe në shkolla.

Më pas Presidenti Begaj zhvilloi në “San Demetrio Corone” një takim me kryetarët e bashkive dhe komunave arbëreshe, në prani edhe të prefektit të Kozenës.

Një pllakatë dedikuar vizitës së Presidentit të Shqipërisë, u zbulua pranë kolegjit “Sant’ Adriano”. Kreu i Shtetit nderoi Kolegjin, nga i cili kanë dalë emra të njohur të botës letrare, akademike e intelektuale dhe atdhetarë si Luigj Gurakuqi e Aleksandër Xhuvani, e shumë të tjerë me kontribut si për Shqipërinë ashtu edhe për Italinë.

“Ky Kolegj ka nxitur diskutimin e temave të rëndësishme historike, që nga nevoja për liri e kombeve, te çështjet më bashkëkohore si ajo e domosdoshmërisë të bashkëjetesës ndërmjet kulturave. Kjo është një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe arsimore në të gjithë Arbërinë italiane. Këtu u zhvillua veprimtaria e Institutit Ndërkombëtar të San Demetrio për Shqipërinë, i cili formësoi të rinjtë studentë nga vendi im dhe që edhe sot sheh mes lëndëve të tij mësimin e gjuhës shqipe. Nga Jeronim De Rada, që jepte gjuhën shqipe, deri te Anselmo Lorecchio, i cili ndihmoi në pranimin e shumë studentëve shqiptarë në këtë Kolegj, ju jeni një nga shembujt më frymëzues të kauzës për mbrojtjen e vlerave identitare”, tha Presidenti Begaj