Integrimi
“Tri net me yje”, një libër dygjuhësh me vlerë, për ruajtjen e shqipes në mërgim
Libri i autorëve Dritero Gjukaj dhe Pranvera Salihi u promovua më 18 tetor në bibliotekën Pestalozzi, Hardau, Zürich
“Tri netët me yje” mban titullin libri simpatik për fëmijë, i pasur me ilustrime dhe i shkruar paralelisht në dy gjuhë: shqip dhe gjermanisht. Autorë të librit janë Dritero Gjukaj dhe Pranvera Salihi, burrë e grua, të dy mësues me profesion.
Libri u promovua të mërkurën mbrëma, më 18 tetor, në bibliotekën Pestalozzi, Hardau, Zürich.
Duke prezantuar librin e tij, Dritero Gjukaj, (i cili është edhe bashkëpunëtor i rregullt i platformës albinfo.ch) ka vënë në dukje se ky është libri i parë dygjuhësor, shqip-gjermanisht, për fëmijë, i botuar deri më sot. Fjala është për një vepër të shkruar në stilin e përrallës dhe të shoqëruar me ilustrime të bukura, që absorbohen lehtë nga fëmijët dhe ngjallin imagjinatën e tyre, ka theksuar Gjukaj.
Ai ka shtuar tutje se frymëzimin për të shkruar librin e ka marrë nga historia migratore e familjes së tij. Këtë vit bëhen plot 50 vjet nga ardhja nga Kosova, si emigrant, në Zvicër, e gjyshit të tij. Kështu vetë autori i përket tashmë gjeneratës së tretë dhe pikërisht këtë “tresh” e ka përdorur ai si simbol për titullin e librit “Tri netët me yje”.
Idenë mbi “Tri netët…” ai e ka zhvilluar më tej duke rrëfyer rrjedhën e jetës së parardhësve të tij në atdheun e ri, në Zvicër. Këtë ai e bën me një gjuhë përrallash, me simbole, duke i dhënë rëndësi aspektit edukativ të librit, por edhe zgjimit të imagjinatës së lexuesve potencialë, fëmijëve.
Për realizimin e librit, atij i ka ndihmuar njohja e jetës në atdheun e prindërve të tij, gjegjësisht vizitat në fshatin e lindjes së babait, Strellc të Deçanit. Ambienti i ngrohtë, natyra e bukur, kanë rritur tek ai motivin për të shkruar librin.
Gjukaj ka folur edhe për rrezikun real të zhdukjes së shqipes, si gjuhë e prejardhjes, në mesin e mërgimtarëve të brezit të dytë, të tretë e tutje. Ky rrezik ka qenë një motiv shtesë që ka shtyrë atë ta shkruajë dhe botojë një libër si ky.
Ai ka përmendur edhe tendencat që herë pas here dalin në sipërfaqe në opinionin zviceran, për të ndaluar ose penguar përdorimin e gjuhës amtare të prejardhjes, nga nxënësit me prejardhje të huaj. Ndalimi i tillë është një nonsens dhe nuk ka asnjë mbështetje në teorinë dhe praktikën pedagogjike, ka thënë veç tjerash Gjukaj, duke përkujtuar se njohja e mirë e gjuhes amtare ndihmon nxënien e gjuhës së vendit (gjermanishtes).
Rrëfimi i librit shoqërohet me ilustrime të bukura. Ato i karakterizon një gjallëri e admirueshme ngjyrash dhe një plasticitet që gjithsesi do të kënaqë fantazinë e lexuesve të vegjël. Ilustruese e librit, njëherësh bashkautore është Pranvera Salihi. Pedagogia dhe nëna e tre fëmijëve ka folur para publikut për motivin që ka pasur për t`iu bashkuar të shoqit, Driteros, në realizimin e këtij libri. Që nga fëmijëria kam qenë e interesuar për artet pamore dhe kam provuar veten me vizatime e piktura, ka thënë Pranvera, e lindur në Gjilan dhe e ardhur në Zvicër në moshën 7-vjeçare.
Edhe ajo, sikur Driteroi, duke qenë me profesion mësuese dhe duke pasur preokupim ruajtjen e gjuhës së nënës, ka konsideruar se një libër i tillë, dygjuhësor për fëmijë, është shumë i nevojshëm për brezat që po rriten jashtë atdheut.
Në kuadrin e prezantimit të librit, ai është lexuar, në të dy gjuhët, nga fëmijët e çiftit të autorëve, vajza 9 dhe djali 6-vjeçar. Leximi, me një gjuhë të kultivuar, e të folur bukur (shqipe dhe gjermane) ishte edhe një tregues për punën e bashkautorëve të librit për ruajtjen dhe përcjelljen e gjuhës amtare te brezi i ri, që ishte dhe shtysa kryesore për ta shkruar këtë libër.
Nikoqirja e aktivitetit, drejtoresha e bibliotekës “Pestalozzi”, Hardau Zürich, Suela Jorgaqi, ka përshëndetur të pranishmit dhe ka përgëzuar autorët për librin e prezantuar.
Ajo ka theksuar se edhe ky libër, që përbën një pasurim të literaturës së këtij lloji, do të zërë vend nderi në fondin e bibliotekës. Jorgaqi ka bërë thirrje që sa më shumë bashkatdhetarë, në veçanti fëmijë, të shfrytëzojnë ofertën e pasur të kësaj biblioteke, e cila është në dispozicion të tyre.
Një debat është zhvilluar në vazhdim në mes të mysafirëve dhe autorëve të librit, me ç`rast këta të fundit u janë përgjigjur pyetjeve të të parëve në lidhje me librin. Në këtë kuadër ishte me interes prania e autores së njohur zvicerane të librave të ilustruar për fëmijë, Silvia Hüsler. Po kështu në debat është inkuadruar mësuesi i gjuhës shqipe, tashmë në pension, Hasan Spahiu. Ai ka përgëzuar ish-nxënësin e tij, Dritero Gjukaj, për librin me shumë vlerë, që ka sjellë për lexuesit më të vegjël shqiptarë në Zvicër e gjetiu.
Dritëro Gjukaj është publicist i pavarur dhe mësues i shkollës fillore, ndërsa Pranvera Salihi është mësuese e shkollës së mesme në një qendër federale të azilit.
(Autore e fotografive: Fiona Murtaj, albinfo.ch)
Të ngjashme
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve