Lajme

Gjenevë: Simpoziumi me temë “Emigrantët e djeshëm, gjenovezë të sotëm”

Tema rreth sfidave të diasporës shqiptare në rrugën drejt integrimit, por edhe ruajtja e rrënjëve, e gjuhës, kulturës dhe traditave nëpërmjet edukimit të brezave të rinj, ishin temat e diskutimit në kolokiumin dhe simpoziumi me temë “Emigrantët e djeshëm, gjenovezë të sotëm”, të zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës.

 

 

Është mbajtur simpoziumi me temë “Emigrantët e djeshëm, gjenovezë të sotëm”, e zhvilluar në Gjenevë të Zvicrës, përcjell albinfo.ch.

Theksohet se ky aktivitet me shumë potencial pozitiv është mbajtur në kuadër të veprimtarive për integrimin dhe zhvillimin e shoqërisë post-migratore, pati kujdesin e veçantë të komunës së Gjenevës dhe kreut të saj, Sami Kanaan, si dhe strukturave të kësaj komune, Komisionit Federal për Migracionin dhe Universitetit të Kulturave të Gjenevës.

Tema me fokus ishte ajo për shqiptarët që kanë emigruar jashtë Shqipërisë janë ndeshur me sfida nga më të ndryshmet gjatë përshtatjes dhe integrimit në vendet ku jetojnë. Në të njëjtën kohë, siç është rasti i shqiptarëve që jetojnë në Gjenevë, edhe me ndihmën e autoriteteve, ata punojnë për ruajtjen dhe kultivimin e traditës shqiptare, të gjuhës dhe kulturës, duke edukuar brezat e rinj që janë lindur dhe rriten në Zvicër.

Zviceranë të sotëm, por me rrënjë shqiptare - ATSH -

“Është një takim i mrekullueshëm i shumë aktorëve kulturor dhe social mbi çështjet e migracionit dhe veprimtarive artistike”, ka thënë kreu i Komunës së Gjenevës, Sami Kanaan.

“Ndërtuam një dialog me njerëzit që kanë kryer një udhëtim migrator dhe ky pasurim na bën të fortë. Ky event shërbeu mes të tjerash për vendosjen e urave të bashkëpunimit mes strukturave për të çuar më përpara zhvillimin e diasporës shqiptare në Zvicër. Është e qartë që një kolokium, një simpozium nuk i zgjidh të gjitha, por ky event na ndihmoi të ndërtojmë një kuadër të mbarë për një vazhdimësi të qëndrueshme, sa i përket sfidave që na presin”.

Në aktivitetin ku morën pjesë më shumë se 350 të ftuar përveç shkëmbimit të përvojave, ideve apo projekteve për të ardhme pati edhe një program të gjerë artistik të traditës realizuar nga shqiptaro-zviceranët që u rritën në Gjenevë.

“Është një ditë e veçantë që ka afruar Kantonin e Gjenevës, qytetin e Gjenevës, Komisionin Federal të Emigracionit, pranë një institucioni të ri, siç është ky i yni, Universiteti i Kulturave të Gjenevës”, ka thënë drejtoresha e përgjithshme e këtij Universiteti Albana Krasniqi, shkruan kosovapres.

“Ky aktivitet është një përpjekje, jo vetëm për integrimin dhe migracionin, por edhe për të folur për post-migracionin, për t’i dhënë vlera shumëllojshmërisë së kulturave që pasqyrojnë ata zviceranë që rrjedhin nga familje emigrantësh dhe kanë përkatësi të shumta. Ky publik është zhvilluar, ka fituar përparësi, është bërë pjesë e shumë fushave jetike në Zvicër dhe aktualisht ne jemi të hapur për 80 kombësi të ndryshme. Pra, njëkohësisht me punën që kemi bërë për integrimin e personave të ardhur në fillim, ne kemi detyrë të vazhdojmë të punojmë për brezin e dytë dhe të tretë, të cilët janë ngulur këtu dhe që kanë thjeshtë nevojë për tu hapur derën kulturave dhe fushave të tjera”, ka përfunduar ajo duke falënderuar të gjithë faktorët vendas që mundësuan këtë event.