Lajme

SHBA i frikësohet përfshirjes së mundshme iraniane në konfliktin izraelito-palestinez

Këshilltari për sigurinë kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë frikë se konflikti midis Izraelit dhe Hamasit do të përjetojë një “përshkallëzim” dhe një “përfshirje të mundshme të Iranit”.

“Ekziston rreziku i përshkallëzimit të këtij konflikti, i hapjes së një fronti të dytë në veri dhe sigurisht përfshirja e Iranit”, ka thënë ai për CBS, përcjell albinfo.ch.

Sullivan deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të “hedhin poshtë hipotezën se Irani vendos të përfshihet drejtpërdrejt në një mënyrë ose në një tjetër”.

“Është një rrezik dhe është një rrezik për të cilin ne kemi qenë të vetëdijshëm që nga fillimi i konfliktit. Kjo është arsyeja pse presidenti veproi kaq shpejt dhe me vendosmëri për të zhvendosur një aeroplanmbajtëse në Mesdheun Lindor, për të pasur aeroplanë në Gji, sepse ai i dërgoi një mesazh shumë të qartë çdo shteti apo subjekti që do të kërkonte të qëllonte, të përfitonte nga kjo situatë”, shtoi Sullivan.

Ndryshe, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, ka njoftuar dje se SHBA-ja po dërgonte një aeroplanmbajtëse të dytë në Mesdheun Lindor, me qëllim që “të pengojnë veprimet armiqësore kundër Izraelit ose çdo përpjekje për të zgjeruar këtë luftë”.