Shqipëria

Shqipëria, e para në Europë për rritjen e fluturimeve

Tashmë interesi i lartë i turistëve të huaj për Shqipërinë vërtetohen edhe nga rritja e fluturimeve ajrore, duke u renditur vendi i parë në Europë për rritjen e numrit të fluturime tregtare gjatë periudhës së verës, përcjell albinfo.ch.

EUROSTAT ka publikuar të dhënat për fluturimet tregtare dhe sipas vendeve raportuese, Shqipëria renditet e para në Europë, me rritje 27.8%, të numrit të fluturimeve tregtare në periudhën e verës qershor-shtator në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit më parë. Sipas EUROSTAT, u regjistruan gjithsej 19.3 mijë fluturime për katër muajt e sezonit veror qershor-shtator, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Në vend të dytë është Serbia, me rritje prej 27.76%, ndërsa e treta është Çekia me zgjerim 19.4%. Në vend të katërt dhe të pestë renditet Qipro dhe Irlanda.

Rritja e fluturimeve në Shqipëri është mbi dy herë më e lartë se mesatarja e Bashkimit Europian, e cila është rreth 13% për periudhën e verës, por ende mbetët më e ulët se niveli i fluturimeve para pandemisë. Sipas Eurostat, në BE gjatë muajit shtator 2023 kishte 605 806 fluturime komerciale, duke shënuar një rritje prej 7,9% krahasuar me numrin e fluturimeve në shtator 2022. Megjithatë, shifra mbeti 8,9% më e ulët se numri i fluturimeve për të njëjtin muaj në 2019.

Fluturimet në Shqipëri pritet të jenë në rritje edhe gjatë vitit të ardhshëm për shkak të kërkesës së lartë turistike, por edhe për shkak të futjes së kompanive ajrore me kosto të ulët. Ndërkohë që një tjetër shtysë do jetë edhe aeroporti i ri që po ndërtohen në Vlorë, i cili pritet të përfundojnë në vitin 2025.