Tematike
Të Gjelbrit dhe Komisioni Kundër Racizmit kritikojnë SVP-në për racizëm
Në të dy rastet merret si shembull fushata e para sa vjetësh e kësaj partie kundër shqiptarëve, e cila qe dënuar për racizëm, nga Gjykata Federale
Në këtë fushatë zgjedhore, ashtu si dhe në të mëparshmet, SVP-ja ka në shënjestër, ndër të tjera, edhe “të huajt kriminelë”.
Por, në fushatën aktuale ata kanë marrë përgjigjen e Partisë së Gjelbër, sipas së cilës SVP ka shkuar tepër larg në këtë drejtim, transmeton albinfo.ch. Të Gjelbrit, në reagimin e tyre thonë: Përpara se SVP të denigrojë të tjerët, duhet “të merret me politikanët kriminelë në radhët e veta”.
Ngjashëm ka reaguar ditë më parë edhe Komisioni Federal kundër Racizmit (EKR), shkruan gazeta Tagblatt e St. Gallenit. Në një letër drejtuar kryetarit të SVP-së, Marco Chiesa, komisioni në fjalë shkruan se fushata e SVP-së e titulluar “Neue Normalität” (Normalitet i ri) shtrembëron realitetin, “duke dhënë përshtypjen se vetëm njerëzit me prejardhje të huaj janë përgjegjës për dhunën dhe krimin në Zvicër”.
SVP publikon në rrjetet sociale dhe në faqen e saj imazhe me shkrime që synojnë të evidentojnë aktet kriminale të kryera nga të huajt. Sipas EKR-së, këto imazhe synojnë “të gjenerojnë frikë dhe refuzim të njerëzve me prejardhje të huaj”. Subjektet janë “raciste”, “ksenofobike” dhe “inflamatore”. Komisioni më pas i ka kërkuar SVP-së të ndalojë përhapjen e fushatës dhe të heqë imazhet nga faqja e internetit.
SVP ka hedhur poshtë kërkesën. Në vend të kësaj, ajo ankohet për censurë dhe njofton se synon të mbrohet “kundër këtij cenimi antidemokratik ndaj lirisë së shprehjes”.
Ndërkaq të martën përfaqësues të Partisë së Gjelbër iu drejtuan publikut me po këtë përmbajtje. Në një letër të hapur të nënshkruar, ndër të tjera, nga deputetja nacionale e Bazelit, Sibel Arslan, Të Gjelbrit sfidojnë SVP-në. “SVP është partia që, në krahasim me partitë e tjera, strehon politikanët e zgjedhur më kriminalë dhe më së shumti të dënuar. Shumë prej anëtarëve aktivë të saj janë akuzuar, ndër të tjera, për mashtrim, përvetësim, kërcënim, abuzim, dhunë në familje dhe diskriminim”.
Si shembull, autorët e letrës citojnë rastin e një këshilltari të SVP të Aargau, i cili kohët e fundit dha dorëheqjen për shkak se një hetim penal po zhvillohej kundër tij. Ka dyshime për aktivitet seksual me fëmijë. Rasti i Naveen Hofstetter gjithashtu pati bërë bujë dy vjet më parë. Politikani i SVP-së nga Aargau u dënua për diskriminim racor nga Gjykata e Lartë e Aargaut, nëntorin e kaluar.
Autorët e letrës – tre anëtarë të Partisë së Gjelbër me prejardhje migrante shtojnë: “SVP do të ishte më e besueshme nëse do të merrej me politikanët kriminelë në radhët e veta dhe do të distancohej publikisht nga krimet e tyre”.
Menaxheri i fushatës së SVP, Marcel Dettling, kundërshton kritikat e të Gjelbërve: “Njëra nuk ka të bëjë fare me tjetrën. Kjo letër tregon edhe një herë se të Gjelbrit preferojnë të shpërqendrojnë vëmendjen në vend që të merren me problemet reale”. Më në fund duhet të ekzistojë një qasje më të ashpër në raport me kriminelët. Në fund të fundit, fushata tregon realitetin, transmeton albinfo.ch. Ajo merr “raste konkrete, të dokumentuara”.
Nuk është hera e parë që një fushatë SVP që synon të huajt ka shkaktuar bujë. Më shumë se dhjetë vjet më parë, kjo parti pati publikuar një pllakat me titullin “Kosovarët therrin zviceranët”.
Çështja pati arritur deri në Gjykatën Federale, përcjell albinfo.ch. Ashtu si gjykata e mëparshme, kjo pati dalë në përfundimin se SVP, duke publikuar pllakatin në fjalë kishte shkelur ligjin penal kundër racizmit, sepse kishte krijuar ndjenja kundër një grupi të tërë etnik. Ish-sekretari i përgjithshëm i SVP-së, Martin Baltisser dhe zëvendësja e tij, Silvia Bär, qenë dënuar me gjoba me kusht.
Por, a i kanoset SVP-së një dënim i ngjashëm edhe lidhur me fushatën aktuale? Profesori i së drejtës penale, Marcel Niggli, thotë për gazetën tages Anzeiger: “Kjo është e pamundur”. Parakusht do të ishte që një grup i caktuar të portretizohet si inferior – si në rastin “Kosovarët therrin zviceranët”. Ky kriter nuk është përmbushur në fushatën aktuale”, transmeton albinfo.ch.
“Fushata mund të jetë e pahijshme, por standardi kriminal i racizmit nuk mbulon çdo sjellje të pahijshme”, thotë Niggli. “Për fat të keq, kjo shpesh nuk kuptohet”. Deklarata “italianët janë dembelë”, për shembull, mund të jetë raciste në kuptimin moral ose bisedor, por nuk është e dënueshme.
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha