Lajme

OKB: Izraeli ka bombarduar ndërtesa banimi e shkolla

Të martën Komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk, tha se Izraeli ka goditur ndërtesat e banimit, blloqet e ndërtesave të larta si dhe shkollat në Rripin e Gazës, duke vrarë civilë.

Ushtria izraelite i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Hamasit, pasi këta kërcënuan se do të vrisnin disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim, shkruan REL.

“Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile dhe caqet civile gjatë sulmeve”, tha Turk në një komunikatë.

Të hënën Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë dhe Turk tha se kjo i rrezikon jetët e civilëve që janë të ndaluara me ligj ndërkombëtar, përcjell albinfo.ch.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë të martën se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën. Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë, shkruan REL.