Shqipëria

Europol arreston 6 serb që trafikuan 782 kg marihuanë nga Shqipëria

Europol, Eurojust, BIA dhe Prokuroria Publike për Krimin e Organizuar në Serbi njofton se ka vënë në pranga 6 persona, të cilët ishin vënë nën hetim prej disa kohësh, si organizatorë të trafikimit nga Shqipëria të një sasie prej 782 kg marijuanë, e cila u kap në vitin 2020 në pikën kufitare të Vatinit, gjatë kontrollit në një kamion me rimorkio.

Mediat serbe bëjnë me dije se, policia ka arrestuar organizatorin e dyshuar të grupit të krimit të organizuar M.M, 35 vjeç si dhe anëtarët me inicialet S. Gj., 36 vjeç, S.N., 34 vjeç, M. M., 32 vjeç, P.S., 42 vjeç dhe Z.J., 41 vjeç, ndërsa tre të dyshuar të tjerë janë në njësitë e paraburgimit në Serbi dhe Francë.

Ky grup i organizuar kriminal, i cili përbëhet nga 20 persona, dyshohet se është i përfshirë në tregtinë ndërkombëtare të drogës. Organizatorët dhe anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal dyshohet se kanë marrë pjesë gjithashtu në transportimin e më shumë se gjashtë tonëve kokainë nga Amerika e Jugut drejt vendeve të Evropës Perëndimore dhe Republikës së Serbisë në vitin 2020.

Sipas Prokurorisë, ky grup i organizuar kriminal në periudhën prej 12.2. 2020 deri më 16 mars 2020, në territorin e Shqipërisë dhe Serbisë, ka blerë, transferuar dhe ndërmjetësuar blerjen dhe shitjen e lëndës narkotike – marihuanë.

Vetëm në njërën prej sekuestrimeve (2 mars 2020) u gjetën dhe u konfiskuan 782 kilogramë drogë marihuanë në pikën kufitare të Vatinit. Gjatë procedurës para hetimore janë marrë provat lidhur me përdorimin e aplikacionit Sky përmes asistencës juridike ndërkombëtare.