Lajme

Kush është grupi palestinez Hamas?

Grupi palestinez, Hamas, më 7 tetor ka nisur sulmin nga Gaza në Izrael. Ngjarja u përshkrua si një nga përshkallëzimet më serioze të konfliktit izraelito-palestinez në disa vite.

Kur u themelua Hamasi?

Hamasi, ose Lëvizja e Rezistencës Islamike, u themelua në vitin 1987 gjatë kryengritjes së parë palestineze dhe gëzon mbështetjen nga Irani shiit e ndanë ideologjinë me Vëllazërinë Myslimane në Egjipt.

Hamasi udhëheq Rripin e Gazës që nga viti 2007, pas një lufte të shkurtër civile me forcat besnike të lëvizjes Fatah, e cila udhëhiqet nga presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abbas. Ai është i vendosur në Bregun Perëndimor dhe gjithashtu kryeson Organizatën për Çlirimin e Palestinës (PLO), shkruan REL.

Marrja e Gazës nga Hamasi ishte reagim i fitores së tij në në zgjedhjet parlamentare palestineze në vitin 2006 dhe që nga ajo kohë nisën konfliktet me Izraelin.

Hamasi refuzon ta njohë shtetin e Izraelit dhe kundërshton dhunshëm Marrëveshjet e Oslos për Paqe, të negociuara nga Izraeli dhe PLO-ja, në mesin e viteve 1990, përcjell albinfo.ch.

Duke i konsideruar aktivitetet e tij të armatosura si rezistencë ndaj pushtimit të Izraelit, Hamasi dërgon njerëz të armatosur dhe kamikazë në Izrael, kohë pas kohe.

Grupi është pjesë e një aleance rajonale, që përfshin Iranin, Sirinë dhe grupin islamik shiit, Hezbollah, në Liban. Të gjithë ata kundërshtojnë gjerësisht politikën e SHBA-së në Lindjen e Mesme dhe Izraelin, shkruan REL.

Ku gjendet Rripi i Gazës?

Rripi i Gazës është një territor prej 41 kilometrash i gjatë dhe 10 km i gjerë midis Izraelit, Egjiptit dhe Detit Mesdhe. Atje jetojnë rreth 2.3 milionë njerëz.

Izraeli kontrollon hapësirën ajrore mbi Gazë dhe vijën e saj bregdetare, si dhe kufizon se kush dhe çfarë mallrash mund të hyjnë dhe të dalin nëpër pikat e saj kufitare. Në mënyrë të ngjashme, Egjipti kontrollon se kush hyn dhe del përmes kufirit të tij me Gazën.

Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, rreth 80% e popullsisë së Gazës varet nga ndihma ndërkombëtare, përcjell albinfo.ch.