Lajme

36 mijë bileta treni falas për të rinjtë në Evropë

Tridhjetë e gjashtë mijë të rinj evropianë do të kenë sërish mundësinë për të fituar bileta falas për të udhëtuar me tren në gjithë kontinentin.

Komisioni Evropian nisi të mërkurën raundin tjetër të programit të udhëtimit “DiscoverEU”.

“Të rinjtë mund të aplikojnë për bileta deri më 18 tetor”, tha Komisioni.

Në program mund të marrin pjesë qytetarë të vendeve të BE-së, si dhe të Islandës, Lihtenshtajnit, Maqedonisë së Veriut, Norvegjisë, Serbisë dhe Turqisë.

Të gjithë të lindurit nga 1 janari deri më 31 dhjetor 2005 mund të aplikojnë për bileta falas.

Ata që duan të fitojnë një biletë falas duhet së pari të provojnë njohuritë e tyre përmes një kuizi të shkurtër.

Fituesit do të jenë në gjendje të udhëtojnë në Evropë deri në 30 ditë, midis 1 marsit 2024 dhe 31 majit 2025.

Pjesëmarrësit me probleme shëndetësore mund të shoqërohen gjatë udhëtimit të tyre.

Programi “DiscoverEU” filloi në vitin 2018 dhe është ideja e aktivistëve Vincent-Immanuel Herr dhe Martin Speer, të cilët donin t’i jepnin çdo qytetari të BE-së një biletë Interrail në ditëlindjen e tyre të 18-të dhe t’i lejonin ata të njiheshin me kontinentin.