Kosova

Deputetja britanike: Pse Kosova vazhdon të jetë e sanksionuar nga BE-ja?

“Ende asnjë ndëshkim ndaj Beogradit”

Sërish deputetja britanike, Alicia Kearns, është deklaruar për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator në Banjskë të Zveçanit, përcjell albinfo.ch.

Kearns ka shprehur shqetësimin për mosvendosjen e masave ndaj Serbisë nga ndërkombëtarët, derisa ka thënë se Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga BE-ja.

“Radoiçiq mbetet i lirë në Serbi. Ende nuk ka masa për Beogradin nga Britania e Madhe, SHBA, BE, pavarësisht vrasjes së oficerit të policisë, armatosjes së paraushtarakëve, rrëmbimit të policëve, as rolit në plagosjen e rëndë të trupave të NATO-s. Megjithatë, Kosova mbetet nën sanksionet e BE-së. Diplomaci parandaluese?”, ka shkruar ajo në platformën “X”.

Kearns edhe më parë kishte shkruar për rastin e 24 shtatorit, derisa kishte kërkuar që të vendoset drejtësia dhe jo të anohet drejt autoriteteve të Beogradit. /Albinfo.ch