Lajme

Vende të Zonës Shengen kanë rifilluar kontrollet në kufijtë e brendshëm evropianë

Vende të ndryshme të Zonës Shengen kanë rifilluar kontrollet në kufijtë e brendshëm evropianë.

Kjo po konsiderohet e nevojshme, duke pasur parasysh krizën e vazhdueshme të migracionit, me të cilën po përballet Bashkimi Evropian.

Një nga parimet kryesore të Marrëveshjes së Shengenit është liria e lëvizjes së qytetarëve, që do të thotë se nuk ka kontrolle në kufijtë e brendshëm të grupit, por në traktat ka klauzola që parashikojnë rivendosjen e përkohshme të kontrolleve kufitare, kryesisht kur ekziston një kërcënim për rendin publik ose sigurinë e brendshme, shkruan Euronews.

Në vitin 2023, të paktën shtatë shtete të Shengenit iu drejtuan atyre dispozitave.

“Kodi i Kufijve të Shengenit ua lejon shteteve anëtare të rivendosin kontrollet kufitare në rast të një kërcënimi serioz për sigurinë e tyre kombëtare, me kusht që masa të jetë e nevojshme si mjeti i fundit dhe të jetë e përkohshme. Tani shtetet e Shengenit i interpretojnë këto kushte shumë gjerësisht”, ka thënë Profesori i Shkencave Politike në Universitetin e Messina-s, Eugenio Cusumano.