Kosova

Gjermania i kërkon sqarime Serbisë se nga shkuan armët në veri të Kosovës

Gjermania i bëri thirrje Serbisë që të hetojë ngjarjet që çuan në betejën vdekjeprurëse me armë midis policisë kosovare dhe grupit të armatosur serb në veri të Kosovës.

“Për momentin ka shumë pasiguri në lidhje me rrjedhën e ngjarjeve dhe sfondin e asaj që ndodhi. Është e rëndësishme që tani të sqarohet plotësisht, për shembull nga erdhën armët”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane Sebastian Fischer në një konferencë për media në Berlin në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

“Është e qartë se kjo është një çështje shumë serioze. Më e rëndësishmja tani është se ka një shpërshkallëzim dhe qartësimi i ngjarjeve sigurisht që do të kontribuojë në këtë”, shtoi ai.

Fischer i kërkoi Serbisë “të bëjë thirrje pa mëdyshje për heqjen dorë nga dhuna”, duke thënë se ishte “irrituese të paraqesësh autorët terroristë si viktima”.