Lajme

Itali: Prezantohen vlerat kulturore dhe traditat shqiptare

 

Qendra Artistike Kulturore Shqiptare “Margarita Xhepa” e shoqatës Onlus Assoalbania Piemonte, bashkë me komunitetin shqiptar në Asti organizoi aktivitetin “Cuore e radici” për të dytin vit radhazi. Kjo qendër ka si qëllim promovimin e vlerave kulturore dhe traditave shqiptare.

“Rrjedh një lumë në Asti të Italisë”

Kështu do ta titulloja poezinë nëse do përshkruaj paradën e shqiptarëve në Asti, një lumë njerëzish të veshur me kostumet kombëtare të të gjitha trevave, midis tupanave dhe çiftelive, klarinetës e fizarmonikës. Flamujtë kuq e zi u përzien me ato të qytetit të lashtë dhe për një ditë Asti u kthye në kryeqendrën e shqiptarëve kudo që ndodhen. Një valle e pandalshme nën këngët patriotike, midis monumenteve të vjetra, që ndoshta shihnin habitshëm rrjedhën e fëmijëve të gëzuar me flamurket e tyre dhe kostumet e çuditshme për vendasit. Nga dyqanet dilnin njerëzit e shihnin buzëqeshur këtë manifestim të madhërishëm. Kjo ditë ishte vërtet dita e krenarisë shqiptare. Delegacionet nga shumë qytete të tjerë plotësonin e mbushnin radhët dhe krahë për krahë zbrisnin deri atje ku do të ishte epiqendra e festës, pranë qendrës së shoqatës “Assoalbania Piemonte” dhe asaj kulturore “Margarita Xhepa” , djemtë e vajzat e së cilës organizuan këtë takim kaq të bukur e të rëndësishëm.

Himni i flamurit ngriti në këmbë të gjithë, ai himn që na mallëngjen sa herë e dëgjojmë. Pastaj…pastaj miqtë e mi asnjë prej jush që lexoni dhe nuk jeni këtu s’mund ta kuptoni çdo të thotë të kërcesh mbi tinguj që i njeh gjithkush nga ne edhe në një farë forme na kanë ngjizur të gjithëve me dheun mëmë. E lehtë ta dëgjosh në tokën tonë, por kur e dëgjon në dhé të huaj, po ajo ndjenjë rritet, shumëfishohet dhe bëhet një rrëshqanë në tjetër realitet paralel. Duhet ta shohësh për ta përshkruar edhe prapë fjalët nuk mund të shprehin atë përkëdheli të ndierë në secilin prej nesh. Duhet muzikë, pikturë, fotografi, artet të gjitha të mbledhura bashkë në një ceremoni të gëzueshme për ta ndjirë gjer në palcë këtë manifestim. Unë isha! Dhe ndihem aq mirë! Faleminderit, djem e vajza, që e organizuat, faleminderit ju që morët pjesë, faleminderit shoqatave dhe shkollave që ishin pranë nesh.