Lajme

Shqetësime për kolerën pas përmbytjeve në Libi

Pas përmbytjeve në Libi, ka shqetësime për një shpërthim të mundshëm të kolerës, sëmundje gastrointestinale.

Punonjësit e ndihmave ndërkombëtare flasin për një “situatë katastrofike humanitare” dhe kushte kaotike në qytetin pjesërisht të shkatërruar të Darnës, shkruan DW, përcjell albinfo.ch.

Të mbijetuarit tani kanë nevojë urgjente për strehim, ushqim dhe kujdes mjekësor bazë për shkak të shqetësimeve rreth kolerës dhe mungesës së ujit të pastër, tha koordinatori i urgjencës i OKB-së, Martin Griffiths, në Gjenevë.

Sipas gazetës Arab News, Ministria e Shëndetësisë në kryeqytetin Tripoli, në perëndim të vendit, paralajmëroi se në Darna kishte ujëra nëntokësore që ishin të ndotura me kufoma, kufoma kafshësh, mbeturina dhe substanca kimike.

“Ne u bëjmë thirrje njerëzve që të mos shkojnë pranë puseve në Darna”, citohet të ketë thënë ministri i Shëndetësisë, Ibrahim Al-Arabi.

Në Darna, dhjetëra fëmijë tashmë janë sëmurë për shkak të ujit të kontaminuar, tha kreu i Qendrës Kombëtare për Kontrollin e Sëmundjeve, teksa në qytetin bregdetar, uji i pijshëm tashmë është përzier me ujërat e zeza.