Kosova

Kosovë: PriFest ndërton ura midis kulturave

Në Prishtinë ka nisur edicioni i 15-të i PriFest (Prishtina International Film Festival). Tema e PriFest 2023 ka në fokus Izraelin.

“Ky është një hap i madh përpara”, u shpreh kryebashkiaku i Prishtinës, Përparim Rama. Sipas tij, në këtë mënyrë jo vetëm po kapërcehen distancat gjeografike, por po ndërtohen ura midis kulturave, përmes gjuhës universale të kinemasë, përcjell albinfo.ch.

Falë përkrahjes së Ambasadës së Izraelit në Kosovë, kinemaja izraelite zë qendrën e vëmendjes në ekranin e madh, ku përveç filmave, do të jenë të pranishëm edhe regjisorë dhe kineastë izraelitë, takimet me të cilët do të shtojnë mundësitë për shkëmbime kulturore dhe marrëveshje bashkëprodhimi me Izraelin.

Për Përparim Ramën, PriFest shkon përtej shfaqjes së filmave; ai eksploron fuqinë e rrëfimtarisë, feston diversitetin, mbron të drejtat e njeriut, krijon mundësi për kineastët, lidh miqësi të reja dhe po ashtu shfaq para publikut e të ftuarave më të mirën e krijimtarisë kosovare në kinematografi.

Pas 15 edicionesh, PriFest vazhdon të jetë një dritare për kineastët e rinj, që ende përballen me kufizime të udhëtimit në Evropë e përtej saj, duke u ofruar atyre një shans për t’u lidhur me profesionistët e industrisë.