Lajme

Franca do të ndalojë cigaret elektronike

Bëhet e ditur se Franca ka vendosur të ndalojë cigaret elektronike për shkak të rrezikut që ato paraqesin për mjedisin dhe shëndetin publik. Kryeministrja Élisabeth Borne tha se kjo masë ishte pjesë e një plani të ri kundër duhanit që po hartohej nga qeveria dhe që duhet të jetë në fuqi deri në fund të vitit, përcjell albinfo.ch.

Cigaret elektronike, ose të quajtura ndryshe veips, në Francë kushtojnë rreth 9 euro, më pak se një pako me 20 cigare dhe supozohet të ofrojnë rreth 600 thithje, ose ekuivalenti i përafërt i 40 cigareve.

Por Akademia Kombëtare e Mjekësisë e Francës i përshkroi ato si një “kurth dinak për fëmijët dhe adoleshentët”.

Sipas Élisabeth Borne, “ato krijojnë një refleks, një gjest, me të cilin fëmijët mësohen dhe më pas përfundojnë duke u tërhequr nga duhani”.

Aktivistët akuzojnë prodhuesit, shumica e tyre me bazë në Kinë, se synojnë qëllimisht adoleshentët, duke përdorur ngjyra të ndezura dhe një sërë shijesh që të kujtojnë dyqanin e ëmbëlsirave, për shembull, marshmallow, çokollatë dhe lajthi, shalqi dhe karamele.

Sipas Aleancës Kundër Duhanit (ACT), 13% e moshave 13-16-vjeçare kanë provuar të paktën një herë “veips”. Shumica thonë se kanë filluar rreth moshës 11 ose 12-vjeçare.

“Ndalimi është një fitore e madhe për shoqërinë civile. Këto cigare elektronike të njëpërdorshme po veprojnë si një portë për pirjen e duhanit për të rinjtë. Është bërë një epidemi. Është e tmerrshme se si industria e duhanit ka nisur të tërheqë fëmijët”, thotë presidenti i ACT, Loïc Josseran.

Aktivistët kanë theksuar gjithashtu dëmin ekologjik të shkaktuar nga cigaret elektronike të njëpërdorshme.

Disa vende të tjera në Evropë, përfshirë Gjermaninë, Belgjikën dhe Irlandën, kanë njoftuar ndalime të ngjashme. Edhe Mbretëria e Bashkuar thuhet se po shqyrton një të tillë.