Ukraina

Bukureshti mohon pretendimet e Ukrainës se dronët rusë goditën tokën rumune

Bukureshti e ka mohuar kategorikisht raportin, ku Ukraina pretendon që dronët rusë ranë dhe shpërthyen në territorin e Rumanisë. Sipas zyrtarëve ukrainas, kjo ka ndodhur në sulmin në infrastrukturën e portit ukrainas në lumin Danub, shkruan Reuters, përcjell albinfo.ch.

Sipas mediave ndërkombëtare, nuk ka qenë e mundur të verifikohej në mënyrë të pavarur asnjëra nga pretendimet e asaj që thuhet se mund të përfaqësonte një kthesë dramatike në luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Sipas shërbimit shtetëror të rojës kufitare të Ukrainës, mbrëmë, gjatë një sulmi masiv rus pranë portit të Izmailit, ‘Shakhed’ (dronët) rusë ranë dhe shpërthyen në territorin e Rumanisë”, ka shkruar në rrjetin social Facebook zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, Oleg Nikolenko.

Ndër të tjera ai u shpreh se ky është një tjetër konfirmim se terrori raketor i Rusisë përbën një kërcënim të madh jo vetëm për sigurinë e Ukrainës, por edhe për sigurinë e vendeve fqinje, përfshirë vendet anëtare të NATO-s.