Lajme

Tragjedi në Itali, pesë punëtorë vdesin pasi goditen nga treni

 

Policia italiane ka identifikuar pesë punëtorët që u goditën gjatë natës nga një tren, i cili po kalonte teksa punëtorët po punonin në shinat e linjës hekurudhore Torino-Milano, pranë stacionit Brandizzo, përcjell albinfo.ch.

Michael Zanera, 34 vjeç, Giuseppe Sorvillo, 43 vjeç, Saverio Giuseppe Lombardo, 52 vjeç, Giuseppe Aversa, 49 vjeç, dhe Kevin Laganà, 22 vjeç.

Pesë personat kanë gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e goditjes së fortë. Ata ishin të gjithë punëtorë të kompanisë Sigifer të Borgo Vercellit, në zonën e Vercellit dhe në momentin e aksidentit ishin gati të fillonin ndërrimin e disa binarëve. Treni që kalonte pranë platformës 1 i goditi, duke i vrarë në çast.

Prokuroria e Ivreas ka hapur dosjen për vrasje nga pakujdesia dhe vrasje të shumëfishtë në lidhje me aksidentin, shkruan ANSA.

Vdekja e pesë punëtorëve të hekurudhave është “vërtet e pashpjegueshme”, tha të enjten kryetari i Bashkisë së Torinos, Stefano Lo Russo.

“Është e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar emocionin e këtij momenti”, tha Lo Russo në vendin e incidentit.

“Ne jemi këtu për të shprehur afërsinë tonë, me shpresën se do të jepet një shpjegim i plotë”, përfundoi Lo Russo.