Lajme
Çka duhet të dini për zgjedhjet federale të tetorit
Më 22 tetor 2023 zviceranët do të zgjedhin 246 anëtarë për Asamblenë e tyre Federale – pra Dhomën e Lartë dhe të Ulët të Parlamentit.
Pse është kjo një ngjarje e rëndësishme në vend?
Zviceranët shkojnë në kutitë e votimit për të votuar në referendume rreth katër herë në vit, kështu që akti i dhënies së votës nuk është një risi për ta, shkruan thelocal.ch, përcjell albinfo.
Por, zgjedhjet ndodhin vetëm një herë në katër vjet, kështu që ndërsa është një dukuri “e rregullt” në Zvicër, nuk janë aq të shpeshta sa referendumet, ku njerëzit “peshojnë” për çështje të ndryshme në vend që të zgjedhin ligjvënësit e tyre.
Si funksionon saktësisht procesi?
Në Zvicër njerëzit zgjedhin deputetët e tyre, të cilët, nga ana tjetër, zgjedhin anëtarët e Këshillit Federal kur dhe nëse njëri nga shtatë anëtarët largohet nga detyra.
Këtë vit, deputetët e sapozgjedhur do të zgjedhin zëvendësuesin për ministrin në largim të Shëndetësisë (dhe presidentin aktual) Alain Berset, i cili njoftoi se do të largohej më 31 dhjetor 2023, kur mandati i tij të përfundojë.
Më 22 tetor do t’i mbetet Parlamentit të sapozgjedhur që të zgjedhë një ministër të ri midis deputetëve që janë të gatshëm të zënë vendin e Berset në Këshillin Federal prej shtatë anëtarësh.
Megjithatë, deri më tani, asnjë kandidat nuk është paraqitur.
Kjo nuk është një situatë e pazakontë: në fund të vitit 2022, dy ministra, Simonetta Sommaruga dhe Ueli Maurer, dhanë dorëheqjen; Elisabeth Baume-Schneider dhe Albert Rösti i zëvendësuan ata në Këshillin Federal.
Për kë do të votojnë qytetarët zviceranë në tetor?
Ata do të votojnë për kandidatët për Këshillin Kombëtar (dhoma e ulët e parlamentit federal) dhe Këshilli i Shteteve (dhomën e lartë).
Këshilli Kombëtar përbëhet nga 200 persona; numri i përfaqësuesve të dërguar nga çdo kanton varet nga madhësia e popullsisë së tij.
“Si rregull, çdo kanton mund të dërgojë një përfaqësues të zgjedhur në Këshillin Kombëtar për afërsisht çdo 40,000 banorë,” sipas faqes së qeverisë.
Kushtetuta garanton të paktën një vend për kanton, edhe nëse kantoni ka më pak se 40,000 banorë.
Appenzell-Ausserrhoden, Appenzell-Innerrhoden, Obwalden, Nidwalden, Uri dhe Glarus dërgojnë nga një anëtar të Këshillit Kombëtar, ndërsa Cyrihu, kantoni më i populluar, aktualisht ka 35 vende.
Këshilli i Shteteve, nga ana tjetër, përfaqëson kantonet dhe përbëhet nga 46 anëtarë, të cilët, si homologët e tyre të Këshillit Kombëtar, zgjidhen gjithashtu nga populli për një mandat katërvjeçar.
Pavarësisht nga madhësia e tyre e popullsisë, kantonet dërgojnë dy deputetë, me përjashtim të gjashtë gjysmë kantoneve Appenzell-Ausserrhoden, Appenzell-Innerrhoden, Obwalden, Nidwalden, Basel-Stadt dhe Basel-Land, të cilët dërgojnë nga një deputet secili.
Ndërsa deputetët e Këshillit të Shteteve përfaqësojnë kantonet e tyre, megjithatë, ata nuk janë të detyruar të ndjekin ose të respektojnë asnjë udhëzim nga qeveria ose parlamenti i tyre kantonal.
Megjithëse të gjitha formojnë një Asamble Federale (parlament), të dy dhomat marrin shumicën e vendimeve veçmas. Këto vendime marrin formë të prerë vetëm nëse të dyja dhomat arrijnë të njëjtin përfundim.
Nëse kjo nuk ndodh, të dy dhomat duhet të negociojnë për të arritur një marrëveshje të përbashkët.
Konsensusi duhet të arrihet edhe pse deputetët nuk shohin gjithmonë “sy për sy”: ata vijnë nga parti që variojnë nga ultra konservatore në ultra liberale: Partia Popullore Zvicerane (SVP), Partia Socialdemokrate (PS), Qendra (një aleancë e Partisë Popullore Kristian Demokrate dhe Partisë Demokratike Konservatore) Liberalët, të Gjelbrit dhe të Gjelbrit Liberal.
Ligjvënësit e Zvicrës nuk janë politikanë karriere pasi, shumica e tyre kanë punë “të rregullta” në rrethet e tyre, përveç detyrave të tyre parlamentare me kohë të pjesshme.
Ka shumë avokatë, por në radhët përfshihen edhe mësuesit, mjekët, fermerët, sekretarët, arkitektët, shefat e kuzhinës, kandidatët për postdoktoraturë – praktikisht çdo profesion që është në përputhje me atë që bëjnë zgjedhësit e tyre.
Ky sistem i deputetëve “me kohë të pjesshme” funksionon veçanërisht mirë në Zvicër, pasi zviceranët besojnë në nocionin bazë të “legjislaturës qytetare”, që do të thotë të jesh pranë zgjedhësve të tyre dhe të mbash një këmbë në botën “reale”. Kjo u lejon atyre të kenë një kuptim më të mirë të jetës së përditshme të zgjedhësve të tyre dhe çështjeve që i prekin ata.
A mund të kandidojnë shtetasit e huaj për t’u zgjedhur në njërën nga dy dhomat e Parlamentit?
Të huajt nuk kanë të drejtë as të votojnë, as të jenë kandidatë për poste publike në nivel federal, ndaj nuk mund të marrin pjesë në këtë proces politik.
Megjithatë, disa kantone e lejojnë këtë përfshirje në nivel lokal.
Fribourg, Vaud, Neuchâtel dhe Jura u lejojnë joshtetasve të votojnë, të zgjedhin zyrtarë dhe të kandidojnë për zgjedhje në nivel komunal. Kushtet ndryshojnë nga një kanton në tjetrin, por në shumicën e rasteve kërkohet një kohëzgjatje e caktuar qëndrimi dhe/ose një leje qëndrimi.
Një numër deputetësh në të dyja dhomat e Parlamentit kanë rrënjë të huaja dhe shumë prej tyre kanë pasaporta të dyfishta—zvicerane, përveç njërës nga vendi i tyre i origjinës.
E-Diaspora
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih Në një mot të ftohtë dhe me shi, u shpalos pankarta e madhe që paraqiste kundërshtimin...
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Së bashku, për një botë pa dhunë ndaj grave
-
Sonte, kryeministri Albin Kurti takon mërgatën në Bruksel
-
Berlin: Besim Gashi u nderua me mirënjohjen e arritjes nga autoritetet e Bundeswehr-it
Jeta në Zvicër
-
Gjenevë: Dyqanet nuk do të hapen më 22 dhjetor Dyqanet e Gjenevës nuk do të jenë të hapura të dielën, më 22 dhjetor. Departamenti i...
-
U protestua kundër pritjes së presidentit serb, Vuqiç, në Cyrih
-
Neuchâtel: Projekti për të ndihmuar të moshuarit viktima të mashtrimit
-
“Parandalo”: Personat me aftësi të kufizuara, të përfshihen në proceset vendimmarrëse
-
Sa përfituan punëtorët në Zvicër nga rritja e pagave