Integrimi
Orët luksoze: simbolet e reja identitare në diasporën shqiptare në Zvicër
Marka prestigjioze zvicerane CVSTOS shpalos një seri ekskluzive të orëve të dorës, duke gërshetuar mjeshtërisht epopenë moderne të heroit kombëtar Adem Jasharit me mekanizma të rafinuar të orëtarisë. Kjo seri ekskluzive prej 50 modelesh është një homazh për rrëfimin e jashtëzakonshëm të këtij heroi, simbol i guximit e trimërisë.
Si një alkimist i kohës, CVSTOS ka ditur të shndërrojë një rrëfim historik të Kosovës në një vepër orëtarie, ku çdo detaj është homazh për historinë më të re të vendit. Historia e jashtëzakonshme e heroit Adem Jashari skalitet në çdo mekanizëm, duke ndërthurur kështu fuqinë e rrëfimit të tij me saktësinë zvicerane. Kjo nismë ka gjetur vend në shpirtin e zemrat e një pjese të madhe të diasporës shqiptare në Zvicër, duke i bërë një homazh drithërues së kaluarës dhe kulturës së saj të çmuar.
Çdo tik-tak i këtyre orëve është një përkujtim i përjetshëm i heroizmit, ndërkohë që akrepat çajnë shtigjet me ritmin e hapave të heroit legjendar. Mekanizmat e rafinuar duket sikur përshkojnë zemrën e historisë, duke krijuar kështu një lidhje të fuqishme mes të tashmes dhe të kaluarës së lavdishme.
Kjo seri ekskluzive e orëve të dorës nuk është thjesht një kronometër prestigji; ajo na vjen si një rrëfenjë për madhështinë njerëzore përmes orëve. CVSTOS ka gjetur mënyrën të krijojë artefakte që i qëndrojnë kohës, vepra të vërteta arti që ngërthejnë në vetvete një figurë heroike në çdo rrahje akrepash.
Diaspora shqiptare në Zvicër, e përbërë prej disa brezash, ushqen rrënjët e saj identitare, por në të njëjtën kohë përparon e zhvillohet edhe në vendin e emigrimit. Ndër vite, ky komunitet ka shprehur lidhjen e fortë që ushqen me vendin e origjinës në mënyra të ndryshme, si përmes muzikës, flamurit, udhëtimeve, vallëzimeve si dhe promovimit të kulturës së vendit të origjinës. Megjithatë, kohëve të fundit po përhapet një trend i ri, i cili shpërfaq dëshirën e ruajtjes së simboleve identitare përmes blerjes së orëve të dorës luksoze. Për disa shqiptarë, këto orë shkojnë përtej përdorimit të tyre si mjete për matjen e kohës e organizimin shoqëror. Ato janë bërë simbol i lidhjes së fuqishme me vendin e prejardhjes, i statusit të tyre shoqëror, i prestigjit dhe i elegancës në mesin e diasporës shqiptare në Zvicër.
Orët e dorës luksoze: një akt simbolik identitar dhe i prestigjit
Këto orë luksoze tejkalojnë vlerën e tyre materiale për t’u bërë kështu dëshmitarë të një historie dhe një identiteti që përmbajnë në vete. Marka prestigjioze CVSTOS kishte hedhur në treg tashmë një seri ekskluzive orësh, duke i bërë homazh heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut. Kësaj here, është figura emblematike e Adem Jasharit që e pasuron këtë seri, duke i dhënë kështu një kuptim të thellë. Për këta mërgimtarë shqiptarë, këto orë luksoze janë bërë një mënyrë moderne e trashëgimit të vlerave, të kujtimeve, e sidomos janë bërë frymëzuese trimërie e guximi.
Sipas kreatorëve të kësaj serie, porositja e një ore të tillë nga shqiptarët e diasporës në Zvicër nuk ndodh thjesht nga pasioni për orët, por ngërthen në vete një kuptim më të thellë. Këto rojtare të kohës bëhen objekte të krenarisë dhe elegancës, duke përcjellë kështu porosi identitare dhe prestigji. Duke mbajtur një orë luksoze, disa pjesëtarë të kësaj diaspore duan të shprehin lidhjen që kanë me vendin e tyre të origjinës duke dëshmuar njëkohësisht edhe suksesin e tyre në vendin e emigrimit. Këto orë bëhen simbol i statusit dhe i dallueshmërisë në mesin e komunitetit, duke përforcuar kështu edhe ndjenjën e përkatësisë edhe prestigjin individual.
Ora, e mbajtur në kyçin e dorës, aty ku zemra rrah, bëhet simbol intimiteti dhe lidhjeje personale. Ajo shpreh një rrëfim individual dhe familjar, por gjithashtu edhe synimin për të zotëruar kohën dhe për të ruajtur atë që është e çmuar. Me këtë qëllim, disa marka orëprodhuese, sikurse CVSTOS, e kanë kuptuar këtë u janë rrekur krijimit të orëve që shkojnë përtej estetikës, duke kërkuar motive që ndërlidhen me atë që është e shenjtë dhe me identitetin kulturor.
Diaspora shqiptare në Zvicër dëshmon për një evoluim të vazhdueshëm në mënyrën e saj të të shprehurit lidhjen identitare. Nëse muzika, flamuri, udhëtimet dhe takimet kanë qenë mënyrat tradicionale të përtëritjes së lidhjeve me kulturën shqiptare, ky trend i ri i orëve luksoze shënjon një hap më tutje në këtë kërkim identitar. Duke mbajtur këtë orë në kyçin e dorës, shqiptarët e diasporës tregojnë krenarinë e të qenit pjesë e këtij komuniteti dhe shpërfaqin trashëgiminë e tyre kulturore me elegancë dhe prestigj, duke e ruajtur atë edhe për brezat e së ardhmes.
Të tjera nga Integrimi
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha