Opinione

Kur i shani shqiptarët e Perëndimit

Prej 50 vjetëve të jetës sime, 10 prej tyre i kam kaluar jashtë Kosovës, ku jam edhe tash. Unë nuk e di se a më bën kjo mërgatë, diasporë apo ex-pat … por, sa herë dëgjoj apo lexoj komente duke i bërë dallimet ne dhe ata, pra kosovarët dhe diaspora, unë jam në anën e diasporës. Kujtoj se secila ndarje e këtillë është dashakeqe, shprehje e naivitetit e madje shprehje e një lloji të ksenofobisë lokale.

Këtë ksenofobi e shoh te individë e shtresave të ndryshme të kosovarëve, në mesin e personave që duhej të ishin intelektualë, te udhëheqës të OJQ-ve që merren me hulumtime, te gazetarë të ndryshëm, pronarë baresh e restorantesh, e deri të shoferët që ankohen për trafikun.

Do të kisha dëshirë të di se kur thoni diaspora apo turistët apo shacit – siç shprehen disa – a bën të dihet se për po mendoni?

A po mendoni për Burimin (48) që është drejtor i një deparatmenti (baras me drejtorinë në komunat në Kosovë) në një qytet me buxhet prej dy miliardë eurove, që mbikëqyrë mbi 30 profesionistë e që vjen në Kosovë çdo të tretin vit?

A po mendoni për Naimin (35) që ka kompani të vetën të kontabilitetit, që vrapon 20 kilometra në ditë dhe që në Kosovë vjen çdo të tretin vit për ta parë familjen.

A po mendoni për Gazmendin (63) që gjatë viteve të nëntëdhjeta ka paguar trepërqindëshin, që unë të shkoj në shkollë, dhe tash si i pensionuar qëndron në mediat sociale dhe pyet se pse Kosova nuk po shkon përpara siç kishim dëshirë ne?

Apo për Anduenën (28) që është punësuar në një kompani biznesi duke u rekrutuar nga Kosova dhe tash ka filluar jetën në një metropol financiar.

Ndoshta po mendoni për Ylberin (55) që ka hapur kompani inxhinierike dhe që tash ka zyre në Kosovë ku punëson me dhjetëra inxhinierë të rinj me rroga me katër shifra dhe me pesë ditë pune në javë?

A po mendoni për një superstar (25) që sa herë dëgjohet në radio apo e shihni në bilbord, i thoni mikut tuaj të “huaj” se ai/ajo është nga Kosova.

Apo ndoshta po mendoni për Halimin (68) që si mjek ka arritur të sigurojë materiale shëndetësore falas, për një spital në Kosovë, dhe tash vjen më shpesh për te investuar që të lë shenj në vendin e vet?

Apo ndoshta për Arbenin (65) që ka investuar në Kosovë dhe, pasi nuk ka paguar mito, investimi i tij i ka shkuar huq dhe tash duhet të përballet me drejtësinë e shtrembëruar nga partnerët kosovarë.

Ndoshta po mendoni për një diler të drogës në Gjermani, i cili vjen në Kosovë gjatë verës dhe shpenzon para pa fund në një klub nate dhe i fishkëllen rrotat në qytet.

Ndoshta po mendoni për Hasimin (42) që punon në ndërtimtari dhe që arriti që në një ambient të huaj të ndërtojë një kompani të madhe dhe ta sjell Ferrarin në Kosovë me kamion, që vet vjen me aeroplan e shet mend nëpër qytetet e Kosovës.

Kur shani, do të ishte mirë të tregoni për kë flitni, pasi të thuash diaspora apo turistët e kap “shumë gjon”; është paksa ksenofobe, mos të them raciste.

Virtyt Gacaferri