Lajme

Lirohen nga akuza tre shqiptarët e dyshuar për pjesëmarrje në sulmin terrorist të Vjenës

Prokuroria Publike e Vjenës, ka pushuar procedurën penale ndaj nëntë të dyshuarve për përfshirjen në sulmin terrorist të 2 nëntorit të vitit 2020.

Në mesin e të akuzuarve ishin edhe tre të rinj shqiptarë.

Të dyshuarit u liruan nga akuza në mungesë provash. “Hetimi u ndërpre për shkak se hetimet gjithëpërfshirëse për sulmin terrorist të 2 nëntorit 2020 nuk siguruan asnjë provë për përfshirën e të akuzuarve”, thuhet në vendim, përcjell albinfo.ch.

Në mesin e të akuzuarve ishte edhe i miturit kosovar K.K i cili ishte arrestuar me 03.11.2020 në Vjenë. “Autoritetet austriake nuk kanë gjetur prova që e implikojnë kosovarin me origjinë nga Ferizaj, në aktin kriminal qe  kishte rezultuar me katër persona të vdekur dhe dhjetëra të plagosur”, ka thënë avokati i tij, Armend Deskaj.

K.K, ishte më i riu nga të arrestuarit, ai ishte 16 vjeçar në kohën kur u arrestua, përcjell albinfo.ch.

Përkundër pushimit të hetimeve për përfshirje në sulm terrorist, ata tash akuzohen vetëm për pjesëmarrje në organizatë terroriste.

“Meqenëse analiza e bartësve të të dhënave të personave të përmendur të akuzuar tregoi gjithashtu dyshime për shpërndarje të materialit propagandues të organizatave terroriste, ndaj tyre u filluan procedura të veçanta hetimore për krimet e përkatësisë në një organizatë kriminale dhe një shoqatë terroriste”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Më 2 nëntor nga sulmi terrorist mbetën katër të vdekur dhe dhjetëra të lënduar në Vjenë.