Kosova
Artistja zvicerane, e rënë në dashuri me Kosovën
Krystel Suire (Stern) është e lindur dhe e rritur në Zvicër. Ajo ka vizituar shumë vende në botë por ka vendosur të qëndrojë në Kosovë për të jetuar dhe zhvilluar artin e saj
“A më mirë këtu, a atje?”- Kështu fillon pothuajse çdo bisedë mes familjarëve e miqve të diasporës shqiptare. Të gjendur në “mes dy zjarreve” duhet dhënë një përgjigje, në vendlindje apo në një nga shtetet perëndimore, ku ata tashmë jetojnë dhe punojnë.
Përgjatë dy muajve të sezonit veror jemi dëshmitarë të një vale mërgimtarësh të cilët destinacion kryesor kanë Kosovën, vizita familjare, dasma, qejf e shumë rrallë dikush për punë. Në plot deklarata të tyre dëgjojmë opinione të ndryshme për vendlindjen. Shumica nga ta përjetimet e tyre i shfaqin me emocione të forta duke shprehur një mall të përhershëm për Kosovën, por atëherë kur në bisedë shtohet pyetja se a do të ktheheshin të jetojnë në vendin e origjinës ata ngurojnë të japin përgjigjen “Po”.
Në thelb kryesojnë disa arsye për këtë, ndër to pikëpyetjet më të mëdha janë ato mbi mundësitë e punësimit, siguria, politika dhe jeta sociale.
Por, përtej kësaj pikëpyetjeje, a keni menduar ndonjëherë se si e shohin të huajt Kosovën, sa dallon të qëndruarit aty si vizitor për pushime e çfarë mundësish jep ky shtet i vogël, e në veçanti kryeqyteti për ata që dëshirojnë ta lënë një vend si Gjermania, Zvicra, Italia etj., për të filluar gjithçka nga e para në republikën më të re evropiane?
Për të parë një shembull adekuat i cili dëshmon se edhe në një vend të ri e në tranzicion, ka hapësirë për ata që duan dhe gjejnë vetën në strukturat dhe energjinë e kryeqytetit, platforma mediale albinfo.ch ka zhvilluar një intervistë me artisten zvicerane Krystel Suire e cila prej vitesh jeton në Prishtinë.
Në kaosin e qendrës, Stern gjeti lirinë e të përjetësuarit të artit të saj, në muralet e zymta krijoi grafite të cilat zbukurojnë qytetin duke i dhënë atij një pamje urbanistike të dizajnuar me figura e ngjyra gërshetuar me arkitekturën e qytetit si dhe detajet e kulturës kosovare.
Vajza që është lindur e rritur në Zvicër dhe ka vizituar shumë qytete të tjera në mbarë botën, ka vendosur të qëndrojë në Kosovë për të jetuar dhe zhvilluar profesionin e saj. E gjithë kjo për shkak të ngrohtësisë sociale si dhe lirisë së shprehjes (të artit) pa korniza.
albinfo.ch: Jeni lindur dhe rritur ne Zvicër, tani jetoni në Kosovë. Na tregoni kur ishte hera e pare qe keni vizituar Kosovën dhe çfarë përshtypjesh ju ka lënë?
Stern: Hera e parë ka qenë për festivalin e artit të rrugës “Meeting of styles” në maj të vitit 2018. Pas 4 ditëve që qëndrova këtu, më pëlqeu aq shumë saqë dëshirova të vija prapë për pushime. Pas pak kohe, në gusht erdha për të qëndruar një muaj… Por jo, nuk u ktheva më në Zvicër!- Kosova më pëlqeu, mu duk sikur isha një fëmijë i vogël, mu rikthye shpirti fëmijëror, gjë që e kisha humbur në vendin tim.
albinfo.ch: Përse keni vendosur të jetoni dhe të punoni në Prishtinë? Cilat ishin motivet që të bënë të zgjedhësh Kosovën si vend të aktivitetit tënd artistik?
Stern: Ndihem sikur këtu është shtëpia ime. Prej herës së parë kur erdha u ndjeva kështu dhe nuk mendova shumë arsye, thjesht, ndoqa fatin tim! Herë pas here, më vjen të qesh se: “çka po bon ktu? Pse po fol shqip?”- por nuk mërzitem, jam shumë e entuziazmuar dhe mezi pres të shoh se çfarë do të më sjellë jeta këtu.
albinfo.ch: Si e përjetoni dhe integron kulturën zvicerane dhe kulturën kosovare në punën tuaj artistike?
Stern: kjo varet se ku jam dhe çka bëj. Por mua më pëlqen dhe jam kureshtare të hulumtoj anën tradicionale të një kulture. Ato detaje i kthej në pjesë të artit. Mendoj që traditat janë trashëgimi, kështu që mundohem që të nxjerr në pah kulturën kosovare, sepse ajo të kujton kush ke qenë dhe kush je. Ndërsa inspirimi rrjedh aty për aty nga emocionet që i përjetoj.
albinfo.ch: A keni hasur ndonjë sfidë të veçantë në të qenët një artiste e huaj në Kosovë?
Stern: Njerëzit mendojnë që po të vish nga Zvicra ke para dhe këtë punë po e bën për qejf, por jo! Edhe unë duhet të paguaj qira dhe të ushqehem… Por pas një kohe nuk është edhe aq sfiduese sepse kam krijuar vendin tim në këtë sektor, tashmë njerëzit e bizneset dëshirojnë ta kenë në ambientet e tyre të jashtme ose brendshme një vepër të punuar nga unë. Kjo më jep vlerësim për punën si dhe dëshirë për të vazhduar.
albinfo.ch: Cilat janë sfidat që keni hasur në krijimin e muraleve në Kosovë dhe si i keni kapërcyer ato?
Stern: Për mua nuk është sfidë, krijimi i muraleve nëpër qytetet e Kosovës për mua është lezet, është dashuri!
albinfo.ch: Si mendoni se arti grafik dhe murali kontribuojnë në zhvillimin e kulturës dhe artit në Prishtinë?
Stern: Besoj që jep një mundësi, një aspekt ndryshe për t’u përballur me sfidat e jetës! Sipas meje, arti grafik është “shpërthim”. U tregon njerëzve që nuk është turp me i shpreh ndjenjat apo me ndjek një fat të jashtëzakonshëm.
albinfo.ch: A ka ndonjë mesazh të veçantë që do të dëshironit ta komunikonit me anë të artit tuaj?
Stern: Qëllim e jetës është me u bashku! Jemi shpirtra të veçantë secili prej nesh, por të bashkuar do të bëhemi një shpirt i bukur. Nëse sillesh keq me dikë, po sillesh keq me veten, nëse po gjykon dikë do të përballesh vet me gjykimet… përmes artit tim dua të shpërndaj tolerancë dhe mirëqenie në shoqëri. Dua të jap shpresë. Unë vizatoj me qëllim që të dhuroj dashuri dhe lumturi në zemrën e secilit që e sheh dhe kënaqet me veprën që e kam krijuar.
albinfo.ch: Cili është reagimi i publikut ndaj punës suaj artistike në murale? A ka ndonjë histori të veçantë që dëshironi të ndani?
Stern: Njerëzit e shohin punën time si ëndërr, një moment që i rikthen në fëmijëri, përjetojnë një pushim shpirtëror.
Para disa viteve në Zvicër isha duke e punuar një mural për një shkollë, aty kaloj një grua e vjetër e cila filloi të shprehet shumë keq ndaj meje, duke bërtitur dhe e thirri edhe policinë të vinte aty… Ashtu edhe u bë, policia erdhi. Ata kontrolluan çdo gjë dhe kuptuan se unë kisha autorizim, pra gjithçka ishte në rregull. Disa ditë më vonë, gati në përfundim të muralit, zonja kaloj prapë afër meje, por këtë herë për të kërkuar falje, me lule dhe çokollatë në duar. Ajo u ndje keq nga çka kishte ndodhur para ca ditëve se si me kishte gjykuar dhe kur pa punimin u mahnit e filloi të qante. Normalisht, e fala dhe çokollatat i ndava me fëmijët e shkollës.
albinfo.ch: Cili është plani juaj për të ardhmen si artiste në Kosovë dhe çfarë projektesh apo iniciativash keni në mendje?
Stern: Jam në zhvillim e sipër të një projekti ku përfshihen performanca live me artistë të muzikës elektronike. Kosova i jep hapësirë të madhe muzikës dhe për mua muzika është “the ultimate art” nga e cila nuk mund të ikësh. Edhe personalisht punën e bëj çdo herë nën shoqërimin e tingujve elektro prandaj si projekt dua ta bashkoj artin tim me skena plot ngjyra dhe me muzikë elektronike me DJ, kështu duke i dhënë qytetit një rrymë tjetër artistike. Kjo jam unë dhe kjo është ajo çfarë unë mundem të zhvilloj e t`i jap Kosovës.
“Çka po bon ktu? Pse po fol shqip?!”
Ndihem sikur këtu është shtëpia ime. Prej herës së parë kur erdha u ndjeva kështu dhe nuk mendova shumë arsye, thjesht, ndoqa fatin tim! Herë pas here, më vjen të qesh se: “çka po bon ktu? Pse po fol shqip?”- por nuk mërzitem, jam shumë e entuziazmuar dhe mezi pres të shoh se çfarë do të më sjellë jeta këtu.
Të ngjashme
Të tjera nga Kosova
E-Diaspora
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali E.D., një 41-vjeçar me origjinë shqiptare, banues në Azzano San Paolo, ka ndërruar jetë pas një...
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
-
Topalli: Vota e diasporës, shpëtim për Shqipërinë
-
Haziri: Diaspora nuk është determinuese e rezultatit të zgjedhjeve
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Dardanët presin përkrahjen e bashkatdhetarëve Kombëtarja e Kosovës, në Zvicër...
-
Nga 1 janari do të mund të ndryshohen në çdo moment disa modele të sigurimit shëndetësor
-
Çmimet e pronave zvicerane nuk tregojnë shenja rënie
-
Shtatë gjëra që thjesht nuk mund t’i mbani sekret në Zvicër
-
Ulja e kostos dhe emigracioni: Sfidat me të cilat do të përballet Zvicra në vitin 2025