Shqipëria

Shqipëri: Hyrje falas për vizitorët në monumentet dhe parqet arkeologjike

Ministria e Kulturës në Shqipëri, përmes një nisme ka vendosur që turistët dhe vizitorët të dielave të vizitojnë falas muzetë dhe parqet arkeologjike në gjithë vendin.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ftoi sërish vizitorët vendas dhe të huaj të mos e humbasin rastin këtë të diel për të vizituar muzetë dhe parqet arkeologjike, pa biletë.

“Kudo ku jeni duke pushuar, mos e humbisni mundësinë të vizitoni falas muzetë dhe parqet tona arkeologjike. Vizitoni me familjet Butrintin, Apoloninë, Bylisin, por edhe Muzeun ABC apo atë Mesjetar në Korçë, “Marubin” e Muzeun e Krujës. Shijoni trashëgiminë”, ishte apeli i Margaritit në rrjetet sociale, transmeton albinfo.ch.

Në Shqipëri ndodhen një sërë sitesh arkeologjike si Butrinti, Apolonia, Oriku, Amantia etj, ndërsa nga kalatë përmendim kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër.

Po ashtu vizitorët mund të zgjedhin midis Muzeut të Ikonografisë “Onufri” dhe Muzeut Etnografik në Berat, Muzeve arkeologjikë në Durrës, Tiranë, Korçë, Muzeu i armëve dhe Etnografik në Gjirokastër, Muzeut Etnografik në Sarandë, Muzeut Historik Kombëtar, Tiranë, Muzeut Arkeologjik, Tiranë, Muzeut Historik Shkodër etj.