Kosova
SRF: Shqiptarët dhe serbët në Kosovë jetojnë pa probleme aty ku nuk i fut hundët Vuçiqi
"Ndërsa situata në veri është e tensionuar, dy grupet etnike jetojnë në paqe mes vete, në pjesën tjetër të vendit", shkruan transmetuesi publik i Zvicrës
“Sa herë që bëhet fjalë për mënyrën e jetesës pranë njëri tjetrit mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, zakonisht flitet për konflikt. Por ndërsa situata në veri të Kosovës ka qenë e tensionuar prej muajsh, dy grupet etnike jetojnë në paqe mes vete, në pjesën tjetër të vendit”. Kështu shkruan në portalin e tij SRF, transmetuesi publik i Zvicrës.
Më tutje përshkruhet situata lidhur me zhvillimet e dhunshme të majit në pjesën veriore të Mitrovicës. Gazetari ka biseduar me serbë lokalë (në Zveçan), të cilët nuk tregohen të gatshëm për të ndërprerë protestat, të cilat i mbajnë në vazhdimësi para zyrave të komunave veriore ku janë vendosur kryetarët shqiptarë të komunave. Këto zyra i mbrojnë pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë Speciale të Kosovës.
Siç e thekson media zvicerane, këta serbë janë aty pasi kështu çojnë në vend urdhëresat nga Beogradi, gjegjësisht nga Vuçiqi. Për më tepër, nuk është vetëm çështja e kryetarëve të komunave që i ka mobilizuar ata, por më shumë se kaq, protestuesit në fjalë janë kundër çdo lloj zgjidhjeje që i konsideron ata si qytetarë të Kosovës, përcjell albinfo.ch. Ata, thjesht, duan të jetojnë në Serbi dhe në fakt këtë vend e kanë shndërruar në njëfarë vazhdimësie të Serbisë, duke ushtruar pushtetin e tyre paralel që i përgjigjet vetëm Beogradit.
Por, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Albin Kurti, nuk dëshiron më të pranojë këto struktura paralele që janë rritur ndër vite. Kurti dëshiron ta integrojë zonën në veri në shtetin kosovar dhe këtë po e bën më me vendosmëri se paraardhësit e tij. Që kur ai mori detyrën, situata në veri është bërë gjithnjë e më kritike, derisa përshkallëzimi i përmendur erdhi në fund të majit.
Që atëherë, në terren është kthyer një qetësi e tensionuar. Sistemi i sigurisë është zgjeruar shumë. Ushtarët e KFOR-it dhe policia speciale kosovare janë të dukshme në patrullat e tyre, përcjell albinfo.ch. Në udhëtimin mes fshatrave, njerëzit duhet të kalojnë postblloqe në vazhdimësi. Kjo prani e forcave të sigurisë, veçanërisht e policisë speciale kosovare, nga shumë njerëz (serbë) këtu në veri shihet si pushtim i huaj.
Por, jo të gjithë serbët refuzojnë të angazhohen në dialog
Përderisa shumë e shohin bashkëpunimin me shtetin kosovar si tradhti, Nenad Radosavljevic ka një qasje tjetër. Ai punon me kryetarin shqiptar të komunës, në fshatin e tij të lindjes. “Unë jam realist, edhe nëse kjo nuk është shumë popullore për momentin”, thotë Nenadi. Nëpërmjet punës së tij, ai mund të ndihmojë në sigurimin e stabilitetit dhe avancimin e projekteve nga të cilat përfitojnë njerëzit.
Ai e sheh problemin në qeveritë e Serbisë dhe Kosovës. Ata duan të profilizohen para elektoratit të tyre përmes konfliktit. Ata nuk kujdesen për interesat e popullatës lokale. Meqenëse shumica i marrin pagat dhe pensionet nga Serbia, serbët e atjeshëm janë të hapur ndaj shantazheve dhe duhet të sillen ashtu siç kërkon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. I cili, po ashtu qëndron mbrapa bojkotit të zgjedhjeve lokale.
Ndryshe është situata në jug
Ndërsa në veri nuk ka pothuajse asnjë shkëmbim midis grupeve të popullsisë në jetën e përditshme, bashkëjetesa në pjesën tjetër të vendit funksionon pa asnjë problem. Për shembull në rajonin e Brezovicës, në jug.
Rajoni malor është i njohur për një zonë të madhe skijimi dhe është afër kufirit me Maqedoninë e Veriut. Zona është e banuar në mënyrë të barabartë me serbë dhe shqiptarë.
“Në jetën e përditshme nuk ka probleme mes serbëve dhe shqiptarëve”, thotë Nikolla. 22-vjeçari është shef kuzhine në restorantin “Tiffany”. Sigurisht që ka miq shqiptarë dhe i pëlqen të shkojë me ta në qytetet përreth për të pirë një pije. Por një situatë e tillë mund të shikohet edhe këtu në restorantin në pronësi të Lulit, një shqiptar i ardhur këtu nga Prishtina.
Tetë vjet më parë, Luli hapi restorantin, i cili ndodhet pikërisht në rrugën që të çon në parkun kombëtar. Ai me qëllim ka punësuar këtu vetëm serbët nga zona. Ai thotë: “Politika i krijon problemet, jo njerëzit”. Ai e ndjen këtë në jetën e tij. Politikanët vendas nuk e pëlqejnë atë që ai po bën këtu në restorant dhe vazhdojnë t’i vendosin pengesa në rrugën e tij.
Nëse konflikti në veri përshkallëzohet, kjo nënkuptopn presion edhe mbi biznesin. “Atëherë kemi më pak mysafirë, sepse ata kanë frikë të vijnë në një komunë me shumicë serbe”, thotë Luli, transmeton albinfo.ch. Situata këtu nuk është e krahasueshme me atë në veri.
“Këtu situata nuk është ashtu siç tregohet në televizion”, thotë Nikolla. Për shkak të mediave, miqtë e tij në Serbi kanë një pasqyrë të gabuar të jetës në Kosovë. Në çdo rast, ai dëshiron të jetojë këtu në të ardhmen. I pëlqen këtu, thotë, ka një punë të mirë, familja dhe miqtë e tij jetojnë këtu.
E-Diaspora
-
Jurgen Uldedaj mund në vetëm 2 raunde rivalin, është i 15-ti në renditjen e 4 federatave të boksit Vetëm dy raunde i kanë mjaftuar boksierit shqiptar, Jurgen Uldedajt, të mposhtë rivalin që kishte përballë,...
-
Dënohet shqiptari, pjesë e mashtrimeve prej 1.8 milionë frangash, me Call Center
-
Gjykata në Cyrih dënon një shtetas të Kosovës dhe një të Shqipërisë me burgim dhe dëbim
-
Sonte në Bazel u shfaq premiera e komedisë shqiptaro-zvicerane “Te Berberi – rritet prapë”
-
albgala 2024: Yjet Shqiptare në Zvicër
Jeta në Zvicër
-
Gjashtë lajmet kryesore nga Zvicra për këtë javë Nga rregullat e reja për studentët ndërkombëtarë te buxheti i ri, këtu janë gjashtë lajme nga...
-
Pjesëmarrja rekord në notin e Krishtlindjeve në Gjenevë: 4400 notarë në temperaturën e ujit 8 gradë
-
Katër ligje të reja zvicerane që mund të ndikojnë tek ju
-
Këto pritet të jenë çmimet e biletave për Eurovision
-
Autoritetet e Gjenevës u kujtojnë banorëve që të shmangin mbingarkimin e dhomave të urgjencës gjatë pushimeve