Lajme

Sekreti mbi jashtëtokësorët zbulohet në Kongresin amerikan

David Grusch, një ish-zyrtar i Inteligjencës amerikane në Forcat Ajrore, ka dhënë dëshminë e tij në Kongres sa u përket UFO-ve.

Sipas tij, ai vendosi të nxjerrë sekretet mbi jashtëtokësorët pasi dëgjoi shumë nga ushtarakët “e vlerësuar dhe të besueshëm” që thonin se qeveria po “punon në fshehtësi” në lidhje me fenomenet e pashpjegueshme ajrore (UAP).

“Gjatë kohës sime në ushtri, jam informuar për shumë mbetje të mbledhura nga përplasjet e mjeteve ajrore. Por, mua nuk më kanë dhënë detaje për to”, tha Grusch, transmeton cnn, përcjell albinfo.ch.

Kur u pyet nëse qeveria amerikane ka qenë në zotërim të UAP, ai u përgjigj: “Absolutisht që po”.

Ndërsa një tjetër dëshmitar, Ryan Graves, tha se pilotët duhet të kenë më shumë mbrojtje, në mënyrë që të ketë më shumë raportime për objekte fluturuese të paidentifikuara.

“Na duhet një sistem ku pilotët të mund të raportojnë pa humbur vendin e punës. Ata janë të shqetësuar se nëse shikojnë diçka dhe e raportojnë atë tek autoritetet, mund t’i bëjnë keq vetes. Mund që të dalin keq më pas në testet psikologjike”, deklaroi Graves.

Arsyeja pse ligjvënësit amerikanë po interesohen shumë për UFO-t është se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi për amerikanët. Një sondazh në fillim të kësaj jave doli në përfundimin se rreth 42% e amerikanëve besojnë në ekzistencën e jashtëtokësorëve. Ndërkohë, një në 10 amerikanë thonë që kanë parë UFO të paktën një herë në jetë.