Shqipëria

Pse 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime

Shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë të ardhura të mjaftushme për pushime

Tashmë rekord ndaj shteteve të tjera është renditur Shqipëria, ku vetë shtetasit shqiptarë e kanë të vështirë të përballojnë pushimet, përcjell albinfo.ch.

Barometri i fundit i Ballkanit, një publikim i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal (RCC), gjeti se 60% e shqiptarëve nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime larg shtëpisë.

Kjo peshë është e njëjtë me vitin e kaluar dhe mbetet më e larta në rajon, me 15 pikë përqindje mbi mesataren rajonale. Vetëm 39% e shtetasve shqiptarë janë në gjendje të përballojnë një javë larg nga shtëpia, më e ulëta në rajon.

Të dytët pas Shqipërisë janë malazezët, me 50% të të anketuarve që kanë pohuar se nuk janë në gjendje të përballojnë një javë pushime jashtë vendit. Për Maqedoninë e Veriut ky tregues është 47% dhe për Serbinë 45%

Shtetasit e Kosovës, një pjesë e konsiderueshme e të cilëve i kalojnë pushimet në Shqipëri, mendojnë se janë në gjendje të përballojnë pushimet, shumë më tepër sesa shqiptarët. 38% e tyre kanë pohuar se nuk kanë mundësi të përballojnë pushime, ndërsa 58% e tyre mund t’i përballojnë ato.

Më shumë mundësi për të përballuar pushimet në rajon janë banorët e Bosnjë e Hercegovinës. 31% e tyre nuk kanë mundësi, ndërsa 67% deklaruan se janë në gjendje të ikin një javë për t’u argëtuar.

Në Shqipëri pamundësia për të përballuar pushimet lidhet me përdorimin e parave për shërbime më të domosdoshme. P.sh. 25% e të anketuarve thanë se kishin pasur të paktën një herë gjatë vitit të fundit vështirësi për të paguar faturat e drita dhe energji, nga 19% që është mesatarja rajonale.

19% kishin pasur probleme me pagesën e kësteve të kredisë; 52% kishin probleme që të mbanin shtëpinë të ngrohë (nga 24% që është mesatarja rajonale); 21% nuk kanë mundësi të përballojnë furnizimet bazë si ushqime, apo veshje (nga 17% mesatarja rajonale);

Për të nëntën herë radhazi, Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal publikon rezultatet e Barometrit Ballkanik – sondazhi vjetor i realizuar me gjashtë mijë qytetarë nga i gjithë Ballkani Perëndimor, duke dhënë një pasqyrë mbi opinionet e tyre rreth bashkëpunimit rajonal, integrimit në BE, besimit tek institucionet publike dhe media, shqetësimet e tyre më të mëdha, punësimi, ndryshimet klimatike, siguria, jeta digjitale, transporti, sundimi i ligjit, udhëtimet, etj.