Lajme

Marrëveshja për grurin diskutohet në NATO

Me kërkesë të Ukrainës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka planifikuar të mërkurën një takim të Këshillit të ri NATO-Ukrainë.

“Qëllimi është të bëhen konsultime mbi zhvillimet e fundit dhe të diskutohet transporti i grurit ukrainas përmes Detit të Zi”, tha zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungescu.

“Takimi do të mbahet në nivel ambasadori”, tha ajo, transmeton dpa, përcjell albinfo.ch.

Në samitin e NATO-s në Vilnius, 31 anëtarët e aleancës së mbrojtjes vendosën të intensifikojnë më tej bashkëpunimin me Ukrainën dhe krijuan Këshillin NATO-Ukrainë, një forum i përbashkët konsultativ për të nxitur diskutimin e çështjeve të sigurisë me Kievin.

Përpara njoftimit, Stoltenberg zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Së bashku me presidentin Zelensky diskutuam pasojat e tërheqjes së Rusisë nga marrëveshja e grurit përmes Detit të Zi”, shkroi Stoltenberg në Twitter.

“Ne dënojmë fuqishëm përpjekjet e Moskës për të përdorur si armë ushqimin. Aleatët do të qëndrojnë me Ukrainën për aq kohë sa duhet dhe pas Samitit të NATO-s, Ukraina është më afër NATO-s se kurrë më parë”, tha Stoltenberg, duke iu referuar samitit të NATO-s të mbajtur në Lituani, në korrik.

Zelensky tha se së bashku me Stoltenberg diskutuan zbatimin e marrëveshjeve të arritura në samit dhe hapat e mëtejshëm për të integruar Ukrainën në aleancën e mbrojtjes perëndimore.

“Ne identifikuam gjithashtu me Stoltenberg prioritetin dhe hapat e ardhshëm të nevojshëm për zhbllokimin dhe funksionimin e qëndrueshëm të korridorit të grurit të Detit të Zi”, shkroi Zelensky në Twitter.