Kosova

“Më “mbytën” miqtë nga Kosova pse e paskam mbrojtur Albinin”

Reagon përsëri Rama

 

Sërish kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka reaguar për dhunën e sotme në Kuvendin e Kosovës, përcjell albinfo.ch.

Ai më herët në një postim në ‘Twitter ‘ tha se të mos jesh dakord me kryeministrin Kurti është demokratike, por se ta shprehësh kundërshtinë me dhunë, është të njollosësh veten.

Për këtë koment, Rama tha se e “mbytën” miqtë nga Kosova pse e ka mbrojtur Kurtin.

“Më “mbytën” miq nga Kosova pse e paskam mbrojt Albinin, se shishen e parë e paska gjujt Bislimi dhe paska qenë VV që e paska hap kapitullin e dhunës në Kuvendin e Kosovës, kur ishte në opozitë! Nuk më duhet kush e ka gjujt shishen e parë, mbase keni të drejtë ju, mbase jo, por nëse demokracia parlamentare katandiset në kush gjujti i pari, atëherë kemi një problem edhe me kuptimin e demokracisë, edhe me kuptimin e këtij momenti kyç për Kosovën, e cila nuk ia ka borxh askujt besoj shfaqjen skandaloze të ditës së sotme”, tha ai.

Rama, duke thënë se e di se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e botës demokratike, tha se uron që opozita të distancohet nga sjellja.

“Dhe si dikush që e di mirë se sa poshtë ka rënë Kosova në sytë e krejt botës demokratike për shkak të qasjes së gabuar të qeverisë së saj, unë vazhdoj të mendoj se çka ndodhi sot është e turpshme dhe jam i bindur se justifikimi i asaj shëmtie nuk e ndihmon, po e dëmton ende më shumë reputacionin e Kosovës, prandaj thashë dhe e them prapë se uroj që opozita të distancohet nga një shëmti e tillë”, u shpreh Rama.