Kosova

Diaspora preket nga ngritja e çmimit të tatimit në pronë në Kosovë

Opozita në Kosovë ka kundërshtuar projektligjin për tatimin në pronë në Kosovë.

Vlerësimi i ri i pronave, i cili do të rrisë çmimin e tatimeve mes tjerash, po shihet i pafavorshëm për diasporën, e cila është një nga fuqitë blerëse më të mëdha në Kosovë.

“Secili mërgimtar që vjen në Kosovë dhe ka pronë, këtë vit do të gjejë një faturë 100 për qind më të shtrenjtë të tatimit në pronë. Kështu po i ndëshkoni qytetarët e bizneset e mërgimtarët”, tha deputeti Ferat Shala.

Po ashtu nga deputetët u tha se me tatimin e pronave dekurajohet diaspora që të blejë prona.

“Dekurajohen njerëzit të investojnë në prona në Kosovë, e pastaj dekurajohen të vijnë në Kosovë edhe për pushime”, tha deputeti Haki Abazi.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo është paraparë me ligjin e vitit 2018, ku është paraparë të ketë rivlerësim. “Ne po tentojmë këtë vit me e zbrit për 100 euro dhe për vitin 2024 të ulet për 1/3. Ata që e kanë banim primar, t’u lehtësohet, por të paguajnë më shumë ata që kanë miliona”, tha Murati.