Shqipëria

Anija shqiptare shpëton 55 emigrantë që rrezikonin të mbyteshin në Egje

Anija “Butrinti” e rojës bregdetare shqiptare, është angazhuar në një operacion shpëtimi për 55 emigrantë, që është realizuar në detin Egje së bashku me një anije turke dhe një greke.

Ministri shqiptar i Mbrojtjes, Niko Peleshi njofton se anija ‘Butrinti’, tregoi edhe një herë profesionalizëm të lartë në misionin e saj në ujërat e Egjeut, ku është stacionuar prej disa kohësh.

“Së bashku me një anije greke dhe një turke, ekipi i anijes ‘Butrinti’ shpëtuan 55 emigrantë nga një gomone në vështirësi. Në këtë operacion shpëtimi, efektivët e FA, treguan përkushtimin e palëkundur për parandalimin e humbjes së jetëve të njerëzve dhe gatishmërinë për të ndihmuar në situata të tilla emergjente”, shkruan Peleshi.