Futboll
Behar Abdullahu, dirigjenti i ri i “F. C. Dardania Lausanne”
A do të mund të ngjitet “FC Dardania Lausanne” në shkallët e futbollit zviceran falë rritjes së saj të hovshme dhe drejtuesit të saj të ri?
Në nënqiellin e futbollit zviceran, klubi futbollistik “FC Dardania Lausanne” shkëlqen sikur yll në ngritje, duke ngjallë interesimin e qindra shikuesve që nuk mungojnë në asnjë ndeshje. Ata sapo janë ngjitur në ligën e dytë ndërrajonale ku do të bëjnë gara në sezonin 2023/2024 dhe synojnë me bindje ligën e parë; ëndrra e tyre në sirtar për më se tridhjetë vite. Pas këtij suksesi të menjëhershëm e të prekshëm, fshihet një njeri i pasionuar, i përkushtuar dhe me tipare prej një udhëheqësi të jashtëzakonshme: Behar Abdullahu. Njëherësh baba i tre fëmijëve si dhe punëtor me kohë të plotë, ai ia del, në kohën e tij të lirë, të mbajë gjallë dëshirën dhe entuziazmin që i japin shpirt këtij klubi, duke i kushtuar kohë si sfidave të jetës së tij private ashtu edhe karrierës.
“FC Dardania Lausanne”, themeluar në vitin 1995, është më shumë se një klub futbolli i rrethit të Lozanës. Ai i ofron komunitetit shqiptar dhe jo vetëm – 40% e lojtarëve kanë prejardhje të tjera – një hapësirë argëtimi e kënaqësie me anë të pjesëmarrjes aktive në nivele të ndryshme të kampionatit të futbollit të kantonit të Vaud, që nga grupmoshat e reja e deri tek seniorët. Ndeshjet e klubit mbledhin jo vetëm qindra shikues, por bëjnë që zemrat të rrahin fort, të zbulohen talente të reja e të forcohen lidhjet mes pjesëtarëve të komunitetit.
Nga lufta e deri tek suksesi, këmbëngulësia e një njeriu në shërbim të “FC Dardania Lausanne”
Në botën e sportit, Behar Abdullahu mishëron vetë tharmin e suksesit dhe të mosdorëzimit. Përmes rrugëtimit të tij, ai dëshmon që futbolli është më tepër se sport, ai është një metaforë e jetës. Lojtarët e rinj mësojnë të ngarendin pas topit ashtu sikurse pas synimeve të veta. Ata e kuptojnë që suksesi nuk mund të arrihet veçse kur gërshetohen puna, talenti dhe forcat e aftësitë e secilit lojtar të ekipit. Ky mësim jete mishërohet edhe në fushën e gjelbër, aty ku grupi ka përparësi ndaj individit.
Si sport përfshirës, futbolli mundëson krijimin e një sinergjie brenda ekipit, ku krijohet një ekuilibër shpërblimi, duke i dhënë kështu një koherencë emocionuese secilës ndeshje. Vlerat e solidaritetit, respektit dhe ndihmës së ndërsjellë janë të rrënjosura thellë tek Behar Abdullahu, i cili u jep zemër lojtarëve të tij që të mbështesin njëri-tjetrin, të tejkalojnë vetveten e së bashku të synojnë të përkryerën.
Por kush është në të vërtetë Behar Abdullahu, ai që orkestron këtë dinamikë dhe mban gjallë entuziazmin e të gjithëve qysh nga marrja e detyrës në vitin 2022? Si ia del ai të ndajë jetën mes rolit të babait, punës me kohë të plotë dhe pasionit për futbollin? Cili është sekreti i suksesit dhe i ambicieve të tij të palëkundura? Ne kishim nderin ta takonim Behar Abdullahun, i cili ndau me ne rrëfimin e tij të jetës, shtytjet e tij si dhe disa këshilla për arritjen e suksesit.
I lindur në Prishtinë, në një familje të pasionuar pas futbollit, Behari gjithmonë ka qenë pjesë e këtij universi. Lufta në Kosovë, sukurse mijëra fëmijë kosovarë, e çon Beharin në Francë, ku asokohe, ai pritet nga hiç më pak se familja e Z. Bernard Kushner. Ai arrin në Lozanë në vitin 2010, si kontabilist, dhe që atëherë karriera e tij ka shënuar ngritje; ai është në mesin e këshilltarëve më të mirë në një bankë si dhe të disa kompanive të sigurimeve. Dashuria e tij për sportin, shtytja e të afërmve të tij e sidomos dëshira për të dhënë kontributin e tij në të mirë të komunitetit shqiptar kanë bërë që ai të angazhohet në mënyrë aktive në “FC Dardania Lozanë” që nga tetori i vitit 2022. Qysh atëherë, klubi është në ngritje të vazhdueshme. Ai është bërë një klub familjar dhe jo thjesht një vend i rezervuar për burra si dhe imazhi i tij po përmirësohet me shpejtësi falë suksesit dhe krijimit të ekipeve të moshave të reja që për Beharin janë zemra e klubit.
Një ambicie e pafre për ta ngritur “FC Dardania Lausanne” drejt majave të futbollit
Klubit nuk i mungojnë ambiciet. Synimi i tij i parë është të bëhet i qasshëm për të gjithë, duke mos harruar qëllimin për t’u ngjitur në ligën e parë si dhe për t’u bërë klub gjysmëprofesional. Megjithatë, ajo që e bën këtë klub të veçantë, është çmenduria “për të ëndërruar” që mban gjallë Behar Abdullahu, Kryetari i klubit. Përkundër sfidave të hasura me marrjen e klubit, vendosmëria e tij ka mbetur e paprekur. Prapa perdeve, Behari vë theksin mbi mbështetjen e gruas së tij të dashur, rolin e rëndësishëm të shumë vullnetarëve të përkushtuar, shumica e të cilëve angazhohen prej tridhjetë vitesh, duke punuar në heshtje dhe gjithmonë të gatshëm për t’u përballur me sfidat që dalin rrugës. Ata janë shtyllat e vërteta të këtij projekti të madh, që nuk presin asgjë në këmbim. Në mesin e tyre, rol thelbësor luajnë gjashtë anëtarët e Komitetit, e sidomos nënkryetari Ardian Kabashi.
“FC Dardania Lausanne”: Një rrëfim emblematik pasioni, gjithpërfshirjeje dhe krenarie
Për të freskuar kujtesën, “FC Dardania Lausanne” është një klub futbolli me seli në regjionin e Lozanës, në Zvicër. I themeluar në vitin 1995, ai ka marrë emrin nga një rajoni historik në Ballkan, Dardania, e cila përfshinte dikur territorin e Kosovës së sotme dhe disa zonave përreth që sot ndodhen në shtete fqinje. Kjo përzgjedhje e emrit reflekton identitetin dhe prejardhjen e shumicës së pjesëtarëve të komunitetit shqiptar që e përbëjnë klubin.
Me më shumë se njëqind anëtarë, klubi ofron një platformë pjesëmarrjeje në disa nivele të kampionatit të futbollit të kantonit të Vaud. Ekipet e klubit garojnë në kategori të të rinjve, në ligën e tretë, atë të dytë e shpresojmë së shpejti edhe në ligën e parë. Ky diversitet nivelesh u mundëson lojtarëve të moshave e niveleve të ndryshme ta gjejnë veten dhe të zhvillohen në një mjedis stimulues.
Këta muajt e fundit, klubi ka marrë rolin e një institucioni të vërtetë në gjirin e komunitetit shqiptar në Lozanë.
“FC Dardania Lausanne” organizon ngjarje ku mblidhen jo vetëm lojtarët dhe familjet e tyre, por edhe shikues të shumtë që vijnë për të përcjellë ekipin e tyre të zemrës. Këto çaste takimi dhe pasioni forcojnë lidhjet shoqërore në mesin e komunitetit si dhe krijojnë një ndjenjë të fortë përkatësie.
“FC Dardania Lausanne” luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në promovimin dhe gjithëpërfshirjen shoqërore. Duke u afruar të rinjve dhe jo vetëm mundësinë për t’u marrë me sport, klubi promovon integrimin, vëllazërinë dhe zhvillimin personal. Vlerat e respektit, të ndihmës së ndërsjellë dhe të fair-play-it inkurajohen dhe përcillen tek lojtarët, duke kontribuuar kështu në formimin e individëve të ekuilibruar e të përgjegjshëm brenda shoqërisë.
Behar Abdullahu, si drejtues i klubit, është një shtytës i rëndësishëm i kësaj dinamike. Ai mishëron pasionin, përkushtimin dhe vendosmërinë e nevojshme për të vazhduar me suksese si dhe rëndësinë sociologjike rtë “FC Dardania Lausanne”. Udhëheqja e tij frymëzuese i mundëson klubit të vazhdojë të zhvillohet dhe t’i ofrojë komunitetit shqiptar të Lozanës mundësi të shumta.
Me pak fjalë, “FC Dardania Lausanne” është më tepër se thjesht një klub futbolli. Ai është pasqyrim i identitetit shqiptar, një vend takimi e krenarie, ku krijohen lidhje shoqërore, ku talentet zhvillohen dhe gjithëpërfshirja vlerësohet. Falë njerëzve si Behar Abdullahu, klubi vazhdon të frymëzojë e të krijojë mundësi të reja për rininë dhe për komunitetin shqiptar në tërësi.
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Gjermania lëviz për ta bërë jetën më të lirë për blerësit nga Zvicra Ndërsa rregullat e reja zvicerane do t'i bëjnë blerjet ndërkufitare më pak fitimprurëse për njerëzit nga...
-
I kanë marrë priftit 300 mijë franga, me mashtrim: Dënohen dy kosovarë
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa