Lajme

Çmimet e biletave do të vazhdojnë të jenë të larta në Evropë

Udhëtarët jashtë dhe brenda Europës këtë vit, do të mund të shmangin nivelet e ndërprerjeve, të përjetuara gjatë verës kaotike të vitit të kaluar, por çmimet më të larta të biletave duket se do të mbeten të pandryshuara.

Industria e aviacionit hasi vështirësi dhe ngatërresa verën e kaluar, pasi u përpoq të rriste operacionet pas mbylljeve të papritura – dhe tepricave të mëvonshme – të shkaktuara nga bllokimet e Covid-19. Disa linja ajrore europiane kufizuan shitjet e biletave, anuluan fluturimet dhe ndryshuan oraret, pasi aeroportet vendosën kufizime të trafikut të pasagjerëve.

Por, rrethanat e pazakonta të kaosit të udhëtimit të vitit të kaluar janë lënë pas, sipas Këshillit Ndërkombëtar të Aeroporteve (Airports Council International, ACI).

Aeroporti Heathrow, aeroporti më i madh i Europës për nga vëllimi i pasagjerëve, tha se është “i përgatitur mirë, për t’i shërbyer kërkesës gjatë pikut të verës” këtë vit. Ndërsa Aeroporti Gatwick, i dyti për nga madhësia në Mbretërinë e Bashkuar, tha se “nuk po parashikon të njëjtat probleme, që aeroportet hasën verën e kaluar”.

“Aeroportet kanë bërë përpjekje të jashtëzakonshme këtë vit, për të koordinuar dhe planifikuar të gjitha operacionet e ndryshme, të pranishme në një aeroport, për të bërë gjithçka që munden, për të minimizuar çdo ndërprerje për pasagjerët,” tha ACI.

Trafiku ajror europian, është aktualisht 7.6% më i ulët se nivelet para pandemisë, sipas të dhënave të organizatës, megjithëse pesë tregje europiane – Turqia, Qiproja, Bosnje-Hercegovina, Greqia dhe Shqipëria – janë rikthyer plotësisht në shifrat e trafikut të vitit 2019.

Organizata e sigurisë së navigimit ajror Eurocontrol, tha se po përgatitej për nivele të larta trafiku këtë verë, duke vënë në dukje se fluturimet ditore përmes hapësirës ajrore europiane, janë në nivelin më të lartë, që nga fillimi i pandemisë.

Destinacionet e njohura, megjithatë, “janë gjithmonë të ndjeshme ndaj shqetësimeve të paparashikuara”, shtoi ai, duke përfshirë motin dhe veprimet industriale, të cilat mund të ndikojnë në menaxhimin e rrjedhës së trafikut ajror.

Çmime shumë të larta

Kërkesa për udhëtime ajrore, duket se po sfidon presionet inflacioniste, me rritje 16.2% të pasagjerëve nga viti në vit për muajin maj, sipas ACI. Kjo, pavarësisht se çmimet e fluturimeve janë rritur që nga pandemia, shumë përtej normës së inflacionit në Europë.

Biletat e avionit në Europë u rritën me 36% në muajin maj, krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave të ACI, ndërsa inflacioni i Eurozonës ishte 6.1% për të njëjtën periudhë.

“Unë mendoj se tarifat duhet të jenë përgjithmonë më të larta, se sa ishin në 2019,” tha Alexander Irving, analist europian i transportit në AB Bernstein.

“Linjat ajrore, do të duhet të paguajnë për më shumë nga emetimet e karbonit, plus elementin e inflacionit,” tha ai, duke shtuar se pilotët, ekuipazhi i kabinës dhe stafi tokësor, po kërkonin të gjithë paga më të larta.

“Gjithçka do të përfshihet në tarifën e biletave”.

Rritja e çmimeve të biletave, ka të ngjarë t’u shërbejë kompanive me kosto të ulët, si Wizz Air dhe Ryanair, tha Irving, pasi klientët janë ende të prirur për të udhëtuar, por ka të ngjarë të zgjedhin shërbime më me kosto efektive.

Shefi i Ryanair, Michael O’Leary, tha vitin e kaluar se epoka e fluturimit 10 euro kishte përfunduar.

“Ne mendojmë, se 40 euro duhet të rriten në ndoshta 50 euro, gjatë pesë viteve të ardhshme. Pra, tarifa mesatare prej 35 £ në MB do të rritet ndoshta në 42 ose 43 £”, tha ai. / CNBC