Lajme

Shtetasja e Maqedonisë kapet me kamerë në provimin e autoshkollës

"39-vjeçarja ka filmuar pyetjet e provimit me kamerë dhe dyshohet se përgjigjet i ka marrë përmes një butoni që mbante në vesh”

Gjatë testit teorik për patentë shoferin e kategorisë B, një grua me shtetësi të Maqedonisë së Veriut në Mels (St.Gallen) ka tentuar të manipulonte, transmeton albinfo.ch. Kështu ka bërë të ditur të mërkurën policia kantonale e St.Gallenit.

39-vjeçarja ishte e pajisur me mjete të ndryshme teknike – dhe tani po hetohet  në prokurorinë publike.

Gruaja është kapur pasi zyra e trafikut rrugor ka raportuar për mashtrim të dyshuar nga ana e saj, në qendrën e thirrjeve të urgjencës kantonale në St. Gallen. Një patrullë e policisë së kantonit ka arritur më pas në vendin e ngjarjes, shkruan polizei-schweiz.ch. Policët kanë gjetur një telefon celular me një aparat fotografik dhe kufje Bluetooth në trupin e gruas.

Policia bën po ashtu të ditur se: “Sipas njohurive të deritanishme, 39-vjeçarja ka filmuar pyetjet e provimit me kamerë dhe dyshohet se përgjigjet i ka marrë përmes një butoni që mbante në vesh”.

Sipas policisë, gruaja mbante edhe disa qindra franga cash me vete. Me sa duket, këto duhej t`i shërbenin si pagesë për personin që u përgjigjej pyetjeve online, dhe që do t`i mundësonte “kalimin e provimit”, përcjell albinfo.ch. Por patenta e shoferit u desh të harrohej kësaj here. Tashmë gruaja po hetohet për dyshimin se donte të merrte me mashtrim, patentshoferin.

(Foto: Kapo St. Gallen)