Lajme

Spanja merr drejtimin e presidencës së Bashkimit Evropian

Nga 1 korriku Spanja ka marrë udhëheqësinë e presidencës së Bashkimit Evropian, e që do ta mbajë deri në dhjetor të këtij viti.

Sa i përket Kosovës, ambasadori i Spanjës në Beograd, Raul Bartolome Molina, u shpreh se qëndrimi i vendit të tij është i qartë, Spanja nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por mbështet tentimet e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, shkruan Radio Evropa e Lirë.

“Ky qëndrim nuk ka ndërruar, as nuk do të ndërrojë, dhe të gjithë aleatët tanë e dinë këtë shumë mirë”, tha Bartolome, përcjell albinfo.ch.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në anën tjetër tha se Kosova do të vazhdojë përpjekjet që të afrohet në Bashkimin Evropian gjatë presidencës së Spanjës.

Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk njohin pavarësinë e Kosovës, bashkë me Sllovakinë, Rumaninë, Greqinë dhe Qipron.

Spanja mori presidencën e BE-së pas Suedisë, e cila qysh më 9 janar kishte nisur konsultimet me vendet anëtare lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, shkruan REL.