Integrimi

Avdili: Më 22 tetor do të kemi një adresë në Parlamentin Federal

Përparim Avdili, kandidat për deputet: Deri më tani nuk e kemi asnjë adresë të drejtpërdrejtë në Parlamentin Nacional – këtë gjë duhet ta ndryshojmë më 22 tetor të këtij viti

I njohur si asamblisti i parë me rrënjë shqiptare në Parlamentin e qytetit të Cyrihut, Përparim Avdili është prej disa vitesh i pranishëm në politikën e Cyrihut dhe më gjerë. Ai ka shtyrë me sukses disa nisma parlamentare në asamblenë e qytetit duke treguar kështu një profil prej politikani serioz dhe kompetent.

Avdili është mjaft i njohur si aktivist politik edhe për komunitetin shqiptar të Cyrihut dhe të Zvicrës. Ai është i pranishëm në shumë aktivitete që janë zhvilluar për vite me radhë brenda këtij komuniteti. Albinfo.ch e ka intervistuar atë me rastin e kandidimit të tij për zgjedhjet nacionale të Zvicrës, që mbahen më 22 tetor të këtij viti.

Albinfo.ch: Jeni nominuar nga partia juaj si kandidat për zgjedhjet federale që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju keni një bagazh të pasur të angazhimit në politikën lokale dhe kantonale, të Cyrihut. Çka është ajo që ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten edhe në nivelin nacional?

P.Avdili: Kam rreth 10 vite që jam aktiv në politikën lokale të Zürich-ut, bindja për një shoqëri dhe ekonomi liberale më kanë shtyrë gjithmonë për të intensifikua edhe më tutje angazhimin tim politik. Si rrjedhojë, tani kam vendosur që të kandidoj për zgjedhjet nacionale. Shumë dosje politike nuk mjaftojnë të trajtohen ne rrafshin komunal, si ajo e natyralizimit apo çështja e problematikës së banesave në Zvicër. Pastaj dhe fakti që deri më tani s’kemi ende një deputet nacional me origjinë shqiptare, dhe duke pas parasysh gjasat e mija dhe bagazhin politik timin, po e shoh dhe si detyrim që me kandidaturën time t’i ofroj edhe komuniteti shqiptar zgjedhjen e duhur për në Kuvendin e Zvicrës si shqiptar i parë.

Po ashtu edhe suksesi i deritanishëm si asamblist i Cyrihut më jep dhe sigurinë që politika ime po arrin deri te elektorati. Tani, si kryetar i liberalëve në qytetin e Zürich-ut, edhe më shumë.

Albinfo.ch: Ka pasur edhe më parë, para disa viteve, një numër të madh kandidatësh me rrënjë shqiptare për Parlamentin e Zvicrës. Siç është parë më vonë, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë që në fillim të pa gjasa dhe kanë shërbyer vetëm për të siguruar vota nga komuniteti shqiptar, për partitë përkatëse. A mendoni se kësaj here, qasja është ndryshe?

P.Avdili: Nuk është keq të ketë dhe kandidatë të shumtë nëpër listat zgjedhore, ngaqë një gjë e tillë edhe i mobilizon votuesit e komuniteti tonë. Mirëpo është me rëndësi të komunikohet në mënyrë transparente dhe qartë mundësia e zgjedhjes. Kandidatura ime është shumë serioze, me bagazhin politik por edhe me pozicionimin brenda partisë unë kam gjasa reale për zgjedhje – ose së paku për një pozitë të një zëvendësuesit në legjislaturën e ardhshme. Me këtë, po shpresoj që të mobilizojmë komunitetin kësaj radhe në mënyrë masive dhe të shkruajmë histori.

Albinfo.ch: Ju jeni nominuar nga partia juaj dhe i jepni llogari asaj. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje. Sipas tij “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në parlament. A mendoni edhe ju se “janë pjekur” këto kushte?

P.Avdili: Unë mendoj madje që jemi shumë vonë duke pasur parasysh fuqinë e komunitetit brenda shoqërisë dhe në ekonomi si dhe në fusha të ndryshme. Është fatkeqësi që pjesëmarrja e komunitetit në zgjedhjet e kaluara ka qenë në nivel shumë të ulët. Këtë gjë duam ta ndryshojmë, të gjithë ne kandidatët shqiptarë nga të gjitha partitë, bashkë me shoqërinë civile dhe organizatat tona të fushave të ndryshme si dhe me ju mediat, që kanë një rol kyç në këtë proces.

Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?

P.Avdili: Baza elektorale padyshim që është ajo e partisë time të cilën unë e përfaqësoj dhe e udhëheq në Zürich. Gjithashtu edhe për shkak të angazhimit tim brenda komunitetit shqiptar, si për shembull me organizatën swissalbs apo edhe me FC Kosovën si dhe me shumë aktivitete tjera, natyrisht që shpresoj dhe në mbështetje të madhe edhe te komuniteti ynë në mënyrë specifike por edhe te “Secondos”, në përgjithësi.

Albinfo.ch: Çfarë i premtoni këtij grupimi, në rast se do të zgjidheni deputet?

P.Avdili: Përfaqësim i shqiptarëve, si njëri ndër komunitetet më të mëdha në Zvicër, nëpër institucione nacionale. Shpesh herë debatohet për çështje që ne si komunitet jemi të prekur në mënyrë specifike, qoftë në politikën e jashtme në lidhje me vendet amë apo edhe me politikën e brendshme në integrimin e njerëzve. Deri më tani nuk e kemi asnjë adresë të drejtpërdrejtë në Kuvendin Nacional – këtë gjë duhet ta ndryshojmë më 22 tetor të këtij viti.

Albinfo.ch: Jeni tre kandidatë për zgjedhjet nacionale, vetëm nga Kantoni i Cyrihut. A mendoni se në këtë mënyrë po shkapërderdhet vota, të themi kushtimisht “shqiptare” e kantonit tuaj, në këto zgjedhje?

P.Avdili: Unë besoj që përkundrazi do të mund të mobilizojmë komunitetin në mënyrë më të gjerë që të dalin në votime. Ka mjaft votues në kantonin tonë sa që të gjithë kandidatët, këta tre pra, të zgjidhen në Kuvend. Pastaj sistemi zgjedhor e mundëson edhe votimin e tre kandidatëve qofshin ata edhe nga parti të ndryshme. Prandaj është një mundësi historike që ta bëjmë të mundur, është në duart tona.

Albinfo.ch: Përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër? A ka ndonjë fushë specifike në të cilën premtoni se do të angazhoheni veçanërisht në këtë drejtim?

P.Avdili: Po, siç e kam përmendur edhe më lartë, angazhimi im brenda komunitetit shqiptar strukturohet në dy organizatat ku unë jam pjesë; ajo e swissalbs me të cilën po e krijojmë një rrjet të personalitete të suksesshme shqiptare në Zvicër për të unifikuar forcat tona me qëllim që të jemi të organizuar përballë shoqërisë, debateve mediale dhepolitike në lidhje me komunitetin tonë si dhe me institucionet vendase. Shembulli i anulimit të alba festivalit duhet të jetë alarmues për ne por dhe motivues që të organizohemi më mirë. Me FC Kosovën, klub i cili me ekipin e parë merr pjesë në Ligën e Parë (1. Liga) të Zvicrës, angazhohemi përpos pjesës së sportit edhe për një integrim sa më të mirë për fëmijët dhe gjeneratat e reja.

Albinfo.ch: Deri në zgjedhje kanë mbetur rreth 5 muaj, që nuk është një periudhë aq e gjatë. A keni bërë planin për fushatën tuaj zgjedhore? Nëse po, si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm apo edhe me të tjerët, me prejardhje të huaj?

P.Avdili: Në programin zgjedhor, përpos që do të jetë ekonomia dhe problematika e banesave në mungesë, do të përfshihet edhe çështja e natyralizimit. Është e pakuptimtë për mua që në procesin e natyralizimit pothuajse nuk bëhet dallim në mes dikujt që është rritur në Zvicër dhe dikujt që ka ardhur si i rritur këtu. Fëmijët e shoqërisë tonë, pra ata njerëz që rriten, shkollohen dhe socializohen këtu, ne si shoqëri dhe shtet kemi përgjegjësi më të madhe t’i afrojmë dhe t’i bëjmë pjesë të barabartë me të gjithë tjerët. Kjo do të sjellë stabilitet social por edhe ekonomia do të jetë falënderuese, në aspektin afatgjatë.

“Zvicra nuk është vend i huaj, por është vendi ynë”

Avdili: Si gjithmonë edhe kësaj radhe po u bëj thirrje shqiptarëve në Zvicër që të marrim përgjegjësinë për vendin në të cilin po jetojmë, po punojmë, po shkollohemi dhe ku kemi lëshu rrënjët tona – Zvicra nuk është vend i huaj, por është vendi ynë. Dhe si të tillë në duhet ta trajtojmë, të angazhohemi për të që e ardhmja e Zvicrës të jetë një atdhe edhe më i mirë për ne. Kjo nuk ndodh rastësisht, por me angazhimin tonë të përbashkët, këtu politika ka një rol kyç – ndaj është e pashmangshme që ne si komunitet të marrim pjesë në zgjedhjet e ardhshme nacionale që të shkruajmë historinë së bashku.