Lajme

Qytetet më të shtrenjta në botë për jetesë të klasit të lartë

Singapori u ngjit në krye të renditjes, si qyteti më i shtrenjtë në botë për jetesë luksoze për herë të parë, pasi lufton të jetë një qendër kryesore globale për të pasurit.

Qyteti-shtet, i renditur i pesti në vitin 2022, kaloi përpara Shangait dhe Hong-Kongut, të cilët janë përkatësisht në vendin e dytë dhe të tretë, sipas një raporti nga firma zvicerane menaxhuese e pasurisë, Julius Baer Group Ltd.

Shangai, Kinë

Një nga vendet e para në Azi që rihapi kufijtë gjatë pandemisë, tërheqja e Singaporit për individët me vlerë të lartë neto, reflektohet në rritjen e çmimeve me të cilat përballen tani vendasit.

Sipas raportit, deri në fund të vitit 2022, Singapori numëronte rreth 1500 zyra familjare në territor, dyfishi i numrit të një viti më parë. Është qyteti më i shtrenjtë në botë për çmimet e makinave.

“Standardet e larta të jetesës dhe kërkesat e larta për infrastrukturën lokale, do të thotë se jeta këtu nuk është e lirë”, thuhet në raport.

“Prona rezidenciale është në kërkesë jashtëzakonisht të lartë, dhe makinat me taksa të larta dhe sigurimet shëndetësore bazë, janë përkatësisht 133% dhe 109% më të shtrenjta se mesatarja botërore”.

Hong Kong, Kinë

Indeksi i stilit të jetës së Julius Baer, rendit 25 qytetet më të shtrenjta në botë, duke analizuar pronat e banimit, makinat, fluturimet e klasit të biznesit, shkollat e biznesit, darkat dhe lukset e tjera.

Azia mbeti rajoni më i kushtueshëm për jetesën luksoze, për të katërtin vit radhazi.

Një tjetër fitues i madh ishte Nju Jorku, i cili u ngjit në vendin e pestë nga i 11-ti vitin e kaluar, për shkak të forcimit të dollarit dhe rimëkëmbjes nga pandemia.

Nju-Jork, SHBA

Londra ra në vendin e katërt, nga vendi i dytë një vit më parë. Brexit dhe “trazirat që pasuan”, vazhdojnë të dëmtojnë reputacionin e Mbretërisë së Bashkuar dhe Londra tani përballet me konkurrencë të fortë, nga qendrat financiare në rritje si Dubai dhe Singapori, sipas Julius Baer.

Londër, Mbretëri e Bashkuar

Për herë të parë që nga fillimi i raportit, Europa, Lindja e Mesme dhe Afrika janë rajoni më i përballueshëm për të jetuar mirë, ku qytetet europiane kanë rënë në renditje.

Dubai u rendit në top 10 për herë të parë, duke u bërë qyteti i shtatë më i shtrenjtë, duke zbritur Zyrihun në vendin e 14-të. Dubai ka “ecur” mjaft mirë në indeksin e këtij viti dhe zhvendosja e një numri të madh individësh të pasur, ka ndikuar në çmimet dhe kërkesën e pronave.

Dubai, UAE

Sondazhi zbuloi kërkesë në rritje për udhëtime dhe argëtim, pasi kufizimet pandemike u hoqën dhe liria u kthye.

Kostoja e artikujve luksoz si vera, e krahasuar nga një shishe Château Lafite Rothschild 2018, dhe uiski, u rritën më së shumti globalisht me 17.2% dhe 16.2% respektivisht.

“Shpenzimet eksperimentale janë rritur dhe njerëzit po përqafojnë lirinë e tyre dhe kënaqen me përvojat shoqërore”, thuhet në raport.

Përfitues të tjerë të mëdhenj përfshinin suitat e hoteleve dhe fluturimet e klasit të biznesit. Megjithatë kishte disa përjashtime. Çmimet e biçikletave, të cilat u bënë “shumë të shtrenjta” gjatë pandemisë, ranë me 1.8%.

Julius Baer anketoi individë me vlerë të lartë neto me asete familjare bankare prej 1 milion dollarësh ose më shumë, nga shkurti deri në mars 2023. / Yahoo Finance, Bloomberg