Lajme

Si po ndikon energjia atomike në ekuilibrat botërorë

Për dekada me radhë kundërshtimi i energjisë bërthamore dhe paralajmërimet për incidente me pasoja madhore ishin pjesë e jetës publike. Lëvizja antibërthamore nuk e kishte menduar kurrë se BE-ja do ta klasifikonte këtë formë të gjenerimit të energjisë si miqësore me ambientin.

Energjia bërthamore dhe ndërtimi i impianteve përkatëse janë gjithashtu mjete për influencën gjeopolitike. 11 impiante bërthamore po ndërtohen aktualisht në Kinë. Vendi aziatik synon të gjenerojë sasinë më të madhe të energjisë atomike brenda 2030-ës.

Rusia ndërkohë ofron ndërtimin e impianteve kryesisht jashtë vendit, gjë të cilën po e bën në Indi dhe Turqi, mes të tjerash.

“Rusia ka një industri bërthamore funksionale, në gjendje t’i ofrojë produkte dhe shërbime botës, gjë që i jep avantazhin e integrimit në zinxhirin e furnizimit. Me pak fjalë, e nxjerr uraniumin nga minierat, e pasuron atë, ndërton centrale atomike, riciklon karburant dhe është e vetmja që i ofron këto shërbime. E përmbledhur, unë ndërtoj impiantin tënd dhe kujdesem për gjithçka”, deklaron profesori Philippe Copinschi, nga Shkolla për Çështjet Ndërkombëtare në Paris.

Në Bashkimin Evropian, Franca prodhon deri tani shumicën e energjisë atomike, e tejkaluar vetëm nga SHBA-ja dhe Kina.

“Konkurrenca për energjinë atomike po bie gjithnjë e më shumë. Çmimet e elektricitetit nga burimet e rigjenerueshme, si energjia diellore dhe era, po bien. Në ditët e sotme kushton më pak të prodhosh elektricitet nga era sesa nga impiantet bërthamore”, tha Copinschi.

Aktualisht, rreth 10 për qind e elektricitetit të gjeneruar në mbarë botën vjen nga impiantet atomike. Në majë është energjia e siguruar nga qymyri.