Lajme

Regjistrohet nivel rekord i remitencave në Shqipëri

Dërgesat e emigrantëve kapin vlerën e 214 milionë eurove

 

Raportohet se në Shqipëri paratë e emigrantëve kanë shënuar nivelin më të lartë që prej vitit 2008, përcjell albinfo.ch.

Referuar të dhënave të Bankës së Shqipërisë, në tre muajt e parë të këtij viti drejt Shqipërisë janë dërguar përmes llogarive bankare mbi 214 milionë euro, ndërsa tendecë në rritje kanë pasur dhe paratë e sjella “cash”.

Një vit më parë, në periudhën janar-mars, emigrantët dërgonin në vend rreth 184 milionë euro.

Niveli i lartë i remitancave listohet nga institucionet si një nga faktorët kryesorë për luhatjen e kursit të këmbimit, bashkë me investimet e huaja dhe shpenzimet e turistëve jo në lekë. Këtë vit ka pasur një forcim të pazakontë të monedhës vendase.

Vetëm në fund të javës së kaluar euro zbriti në një rekord të ri historik prej 105.62 lekësh. Tkurrja e euros tërhoqi dhe valutat e tjera, me dollarin që u këmbye me 98.56 lekë, nivel ky më i ulët në 12 vjet.

Kriza ekonomike financiare globale ende nuk ka ndikuar në dërgesat e emigrantëve shqiptarë, pas uljes së tyre gjatë periudhës së pandemisë, kryesisht nga Italia dhe Greqia.