Muzikë
Pesë motra me karrierë akademike dhe me pasion për vallen shqiptare
Valbona, Valentina, Liridona, Vlora dhe Saranda Gashi, përveç përkushtimit në profesionet e tyre, kanë të përbashkët edhe pasionin për vallen shqiptare
Pesë motra të lindura dhe të rritura në Zvicër. Të pestat janë të shkolluara dhe kanë përfunduar me përkushtim studimet e tyre. Dy prej tyre kanë kryer studimet master, ndërsa tri të tjerat, Bachelor. Aktualisht të pesë motrat punojnë me sukses në profesionet e tyre.
Valbona, Valentina dhe Liridona janë mësuese, Vlora punon në një kompani si specialiste për çështje ligjore dhe biznesore, ndërkohë Saranda punon në njërën nga bankat me të njohura në Zvicër.
Të pesë motrat tregojnë për albinfo.ch përvojën në profesionet e tyre.
“Që në fëmijëri, unë kisha një dëshirë të thellë për të ndihmuar në rritjen e dijes dhe në ndryshimin e jetëve të njerëzve. Si mësuese, më pëlqen të jem shembull dhe një udhërrëfyes për nxënësit e mi, duke ndihmuar ata të rriten dhe të zhvillohen jo vetëm në aspektin akademik, por edhe në aspektin emocional, social si dhe në realizimin e ëndrrave të tyre”, shprehet Valbona Gashi.
Vlerësimi nga nxënësit, më përmbush shpirtërisht
Të njëjtin profesion si mësuese e ushtron edhe motra tjetër, Liridona. Ëndrrën për t’u bërë mësuese, Liridona Gashi e kishte që në klasën e katërt të shkollës fillore.
“Nga viti 2022, unë jam mësuese e klasës së nëntë. Vlerësimi që marr çdo ditë nga nxënësit është shumë i rëndësishëm për mua. Në rolin tim si mësuese, unë shoh veten si një mbështetje për nxënësit në zhvillimin e tyre si individë. Është e rëndësishme për mua të përgatis nxënësit për vendime të rëndësishme në jetën e tyre, si të zgjedhin një arsimim të mëtejshëm ose një praktikë. Kam pasur shumë kënaqësi të ndihmoj nxënësit në klasë për të kuptuar cilat janë mundësitë e tyre për të ardhmen dhe për t’i ndihmuar ata të bëjnë zgjedhje të informuara dhe të shëndetshme”.
Motra e tjetër, Vlora Gashi – Shaqiri punon si specialiste në një kompani e cila merret me çështje ligjore dhe biznesore. Kompanitë me të cilat Vlora punon, kanë nevojë për një partner të besueshëm dhe kompetent që do të ndihmojë në menaxhimin e riskut dhe shmangien e dëmeve.
“Duke punuar si specialiste e përgjegjësisë civile dhe industrive të specializuara, unë siguroj se këto kompani kanë mbrojtjen e duhur për të parandaluar humbjet e panevojshme. Një pjesë tjetër e punës sime është menaxhimi i rasteve të dëmtimeve, ku unë ndihmoj klientët në menaxhimin e situatave të vështira. Kur një kompani ose individ has në një rast dëmi, misioni im është që të jem atje për ta ndihmuar në të gjitha nivelet e procesit të ndërhyrjes, duke nxitur komunikimin e hapur dhe efektiv dhe duke përcaktuar një plan të veprimit të përshtatshëm për të zgjidhur situatën sa më shpejt dhe sa më mirë të jetë e mundur”.
Puna në bankë, shumë dinamike
Ndërkohë Saranda Gashi – Shala, e cila punon në një nga bankat më të mëdha në Zvicër në fushën e shërbimeve të kredive për financimin e anijeve dhe jahteve, tregon për albinfo.ch se puna të cilën ajo bën në bankë, i ofron mundësi avancimi afatgjatë si dhe përvojë ndërkombëtare: “Puna jonë është ndërkombëtare. Ne kemi klientë nga të gjitha vendet e botës. Një bankë si kjo mund të ofrojë një ambient pune shumë dinamik dhe gjallërues. Puna me kolegë nga vende dhe kultura të ndryshme është një kënaqësi për mua.
Kur fillova karrierën time në bankë u impresionova nga shpejtësia me të cilën ndodhnin gjërat dhe nga mundësitë që më ofroheshin. Çdo ditë ishte ndryshe dhe gjithmonë kishte sfida të reja që duhet t’i përballoja”.
Jetë me sfida dhe eksperienca të ndryshme
Në anën tjetër, motra “e radhës”, Valentina, tregon për jetën që bëjnë pesë motrat e familjes Gashi. “Në fakt, jeta në familjen tonë me pesë motra është shumë interesante dhe e ngjeshur me eksperienca të ndryshme. Kemi mundësinë të mësojmë nga njëra-tjetra dhe të shkëmbejmë njohuri në fushat tona të specializimit. Bisedat tona vijnë nga përvojat dhe sfidat tona në profesionet tona, por gjithashtu diskutojmë tema të ndryshme që lidhen me jetën në përgjithësi, siç janë shëndeti, arsimimi, kultura, mjedisi dhe zhvillimi personal. Gjithashtu, ne ndajmë pasione të përbashkëta si: leximi, udhëtimet, vallëzimi dhe këndimi. Ndërsa është sfiduese të jemi në profesione të ndryshme, kjo ka sjellë edhe shumë avantazhe dhe bën që jeta jonë të jetë më e pasur dhe më e interesante.
Pesë motrat, plot 21 vjet në ansamblin “Drita” në Kreuzlingen
Ato ndonëse kanë profesione të ndryshme, janë më se të fokusuara në atë ku gjejnë qetësinë shpirtërore, vallëzimin.
Haradin Gashi së bashku me Tomë Berishën dhe Mehmet Kajtazin kishin themeluar shoqatën e vallëzimit “Drita”, në Kreuzlingen, më 2002, aty ku Valbona Gashi me motrat nisën rrugëtimin e parë si valltare. Kjo shoqatë më vonë u transformua në ansambël, nga këngëtarja e mirënjohur e muzikës folklorike shqipe, Shkurte Fejza.
“Që nga fillimi i klasës së parë kemi nisur me vijimin e mësimit plotësues në gjuhën shqipe, deri në klasën e 9-të. Vallëzimin si hobi e nisëm në Shoqatën ´Drita´ në Kreuzlingen, të cilën e themeloi babai ynë Haradin Gashi më shokët e tij. Pas disa viteve shoqata u shndërrua në ansambël nga këngëtarja e mirënjohur Shkurte Fejza”, ka sqaruar motra e madhe, Valbona.
Motrave në këtë rrugëtim u është bashkuar edhe vëllai i vetëm, Arlindi. Ai, anipse në moshë të re, është shumë aktiv në ansambël. Ndërsa, të 5 motrat përkushtimin e tyre ndaj ansamblit e nisën si valltare, e që më vonë u bënë edhe koreografe. Valbona ka treguar se ka tashmë 10 vite që koreografinë e punojnë pikërisht motrat, deri sa ka treguar edhe rolin e të tjerave.
“Nuk kam koreograf të valleve që 10 vjet, sepse dy nga motrat janë mësuese të vallëzimit dhe e bëjnë këtë punë, kurse Valentina është edhe këngëtare e ansamblit”, ka thënë ajo.
Teksa flet për jetësimin e ansamblit “Drita”, Valbona nuk ka lënë pa përmendur kontributin e prindërve të saj në edukimin e fëmijëve. Valbona ka treguar se të gjitha motrat, përveç mbështetjes financiare, ato kanë marrë këshillat nga babai dhe nëna e tyre që të shkollohen në profesionet që ato i preferonin.
Të ngjashme
Të tjera nga Muzikë
E-Diaspora
-
A rrezikon të dështojë vota e diasporës në Shqipëri? Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Shqipëri, Ilirjan Celibashi, tha se janë krijuar kushtet e...
-
Kurti mban fjalim në forumin ekonomik Zvicër-Kosovë, flet për “partneritet të fuqishëm”
-
Arbër Bullakaj, në krye të nismës për lehtësimin e natyralizimit të të huajve
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
Jeta në Zvicër
-
Më shumë se 640,000 fishekë snajperësh zviceranë thuhet se kanë shkuar në Ukrainë Municione snajperi nga kompania zvicerane P Defence thuhet se kanë mbërritur në Ukrainë në korrik 2023...
-
Kaosi i SBB i frustron udhëtarët: “Ka komunikim zero”
-
Bora paralizon qarkullimin në shumë vende në Zvicër
-
Bazeli do të votojë mbi koston e organizimit ‘blasfemik’ të Eurovizionit 2025
-
Zvicra mbetet kampione evropiane në hekurudha