Integrimi
Islam Alijaj: Është koha për një deputet me rrënjë shqiptare në Parlamentin e Zvicrës
Magazina Albinfo.ch ka intervistuar Islam Alijajn, kandidat i PS nga Cyrihu për zgjedhjet nacionale të Zvicrës që mbahen më 22 tetor
Islam Alijaj është një 37-vjeçar, me aftësi të kufizuara, nga Cyrihu, i njohur për angazhimin e tij në jetën politike të Cyrihut, ku është asamblist i qytetit, dhe më gjerë. Ai lufton për barazi për personat me aftësi të kufizuara.
Islami ose “Lomi”, siç e quajnë në rrethin e tij miqësor, vuan nga paraliza cerebrale për shkak të mungesës së oksigjenit gjatë lindjes. Ai dëshiron që dy fëmijët e tij të rriten në një shoqëri në të cilën babai i tyre nuk perceptohet më si inferior. Këtë synon ta arrijë edhe duke vënë kandidaturën për deputet në zgjedhjet parlamentare të Zvicrës që mbahen më 22 tetor të këtij viti.
Albinfo.ch ka intervistuar Islam Alijajn.
Albinfo.ch: Jeni nominuar nga SP kandidat i zgjedhjeve për Parlamentin Nacional, që mbahen më 22 tetor të këtij viti. Ju keni një bagazh të pasur të angazhimit në politikën e Cyrihut. Çka është ajo që ju ka shtyrë konkretisht të provoni veten edhe në nivelin nacional?
I. Alijaj: Unë kam qenë kandidat për zgjedhjet federale edhe në vitin 2019. Gjithashtu, angazhimi im për një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe barazi për personat me aftësi të kufizuara është më i përshtatshëm për nivelin nacional. Prandaj e kam pasur gjithmonë të qartë se në një moment do të më duhej të shkoja në Parlamentin Nacional. Për këtë arsye jam shumë i kënaqur që partia ime ka dhënë një vend kaq të mirë në listë për të arritur këtë qëllim.
Po ashtu, edhe zgjedhja ime e papritur në Asamblenë e Cyrihut në vitin 2022 më dha ambicien e nevojshme që të guxoj të bëj sërish përpjekjen për të hyrë në Parlamentin Nacional. Mocionet e mia të shumta në parlamentin e qytetit më kanë treguar se e kam përvetësuar mjaft mirë punën parlamentare. Dhe gjithashtu kam aftësinë që të krijoj shumicë deputetësh, t`i bëj për vete në lidhje me temën time.
Albinfo.ch: Ka pasur para disa viteve një numër të madh kandidatësh me rrënjë shqiptare për Parlamentin e Zvicrës. Siç është parë më vonë, një pjesë e mirë e tyre kanë qenë që në fillim të pagjasa dhe kanë shërbyer vetëm për të siguruar vota nga komuniteti shqiptar për partitë përkatëse. A mendoni se kësaj here, me rastin tuaj, qasja është ndryshe?
I.Alijaj: Absolutisht! Në rastin tim, prejardhja ime shqiptare luan një rol të dorës së dytë. Unë jam shikuar dhe mbështetur kryesisht si një aktivist i të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Kjo ndërthurje cilësish, të cilat i ndaj, mund të nënkuptojë që më në fund, në tetor, të kemi një deputet nacional me rrënjë shqiptare. Por kjo do të funksionojë vetëm nëse komuniteti shqiptar më mbështet aktivisht.
Albinfo.ch: Ju jeni nominuar nga partia juaj dhe i jepni llogari asaj. Por, komuniteti shqiptar ka po ashtu interesin e tij në këto zgjedhje: Sipas tij, “janë pjekur kushtet” që më në fund të ketë një ose më shumë politikanë me rrënjë shqiptare në Parlament. A mendoni edhe ju se “janë pjekur” këto kushte?
I.Alijaj: Pa dyshim koha është pjekur për një deputet nacional me rrënjë shqiptare. Megjithatë, ne kandidatët me prejardhje shqiptare duhet të dëshmojmë veten si ekspertë në temat tona për t’i treguar elektoratit zviceran se mund të përfaqësojmë edhe interesat e tyre në Parlament.
Albinfo.ch: A llogaritni shumë në mbështetjen nga komuniteti shqiptar në këto zgjedhje apo mendoni se e keni bazën e sigurt te zgjedhësit tradicionalë të partisë suaj?
I.Alijaj: Baza ime kryesore ndodhet në lëvizjen e njerëzve me aftësi të kufizuara. Megjithatë, zgjedhja ime si deputeti i parë nacional me aftësi të kufizuara, i PS, do të ketë sukses vetëm nëse edhe baza ime tjetër, komuniteti shqiptar, më mbështet aktivisht. Kjo është mënyra e vetme që ky vit të mund të bëjë histori.
Albinfo.ch: “Unë nuk dua që fëmijët e mi të rriten në një shoqëri, ku babai i tyre konsiderohet inferior vetëm për shkak të aftësisë së tij të kufizuar. Do të bëj gjithçka në fushatën zgjedhore për të hyrë në Parlamentin Nacional”. Kështu keni deklaruar me rastin e nominimit. A e keni mbështetjen e plotë të partisë për të realizuar këtë qëllim?
I.Alijaj: Partia ime më propozoi për numrin 11 të listës. Kemi 7 mandate në Këshillin Kombëtar (Parlamentin Nacional), njëri prej të cilëve ka mbetur vakant, sepse nuk kandidon më një kandidat i mëparshëm. Sigurisht që nuk është e lehtë të kalosh 4 vende dhe do të kisha dashur të bëja pjesë në top 10. Megjithatë, kjo nuk më pengon të bëj gjithçka që duhet për t’u zgjedhur dhe për të bërë histori. Por për këtë kam vërtet nevojë për mbështetjen e plotë të dy bazave të mia. Kemi mundësinë unike që më në fund të kemi një deputet nacional me aftësi të kufizuara dhe me rrënjë shqiptare. Ky do të ishte një mesazh i fortë, veçanërisht për shoqërinë tonë në Kosovë.
Albinfo.ch: Çfarë i premtoni këtij grupimi, në rast se do të zgjidheni deputet?
I.Alijaj: Premtimi im për të gjithë votuesit e mi është se do të punoj për një shoqëri gjithëpërfshirëse, ku të gjithë njerëzit mund të zhvillojnë potencialin e tyre. Një shoqëri gjithëpërfshirëse është gjithashtu e një rëndësie vendimtare për komunitetin shqiptar në mënyrë që të ofrojë vlerë të shtuar për Zvicrën.
Albinfo.ch: Jeni tre kandidatë për zgjedhjet nacionale nga Kantoni i Cyrihut. A mendoni se në këtë mënyrë po shkapërderdhet vota, të themi kushtimisht “shqiptare” e kantonit tuaj, në këto zgjedhje?
I.Alijaj: Bashkëpunimi mes ne, kandidatëve në këto zgjedhje, është me rëndësi vendimtare për shanset tona për sukses. Të tre kandidatët mund të përfitojnë nga veprimet e përbashkëta për pozicionin e tyre në partinë e tyre.
Albinfo.ch: Na thoni, me pak fjalë: përse duhet t`ua japë votën një shqiptar, person me të drejtë vote në Zvicër? A ka ndonjë fushë specifike në të cilën premtoni se do të angazhoheni veçanërisht në këtë drejtim?
I.Alijaj: Siç ka treguar zgjedhja ime në zgjedhjet lokale të Cyrihut, dy vota mund të vendosin mes suksesit dhe dështimit. Prandaj është thelbësore që ne kandidatët me rrënjë shqiptare të motivojmë komunitetin tonë për të votuar. Çdo votë ka rëndësi. Përveç kësaj, nëse jetoni këtu, ju gjithashtu doni të keni mundësinë që të keni të drejtën e fjalës. Do të ishte turp nëse nuk do ta shfrytëzonim këtë mundësi.
Albinfo.ch: Deri në zgjedhje kanë mbetur rreth 5 muaj, që nuk është një periudhë aq e gjatë. A keni bërë planin për fushatën tuaj zgjedhore? Nëse po, si duket ajo, në pika të shkurtra? Keni paraparë takime edhe me komunitetin shqiptar të këtushëm apo edhe me të tjerët, me prejardhje të huaj?
I.Alijaj: Fushata ime filloi me një hyrje të fuqishme, më 1 maj dhe do të zgjasë deri më 22 tetor. Në shtator do të organizoj një event për komunitetin shqiptar me dy kandidatët e tjerë me origjinë shqiptare. Përveç kësaj, ka ende mundësi që të më ftojnë në një aperitiv politik në shtator, për të më ofruar kështu mbështetje. Datat janë në faqen time të internetit. Do të isha shumë i lumtur nëse njerëzit nga komuniteti shqiptar mund të organizonin edhe disa apero politike për mua, bashkë me kandidatët e tjerë me origjinë shqiptare.
Albinfo.ch: Ndonjë fjalë me të cilën doni t`i drejtoheni komunitetit shqiptar, gjegjësisht lexuesve të Albinfo.ch me rastin e garës tuaj për Parlamentin e Zvicrës?
I.Alijaj: Ka edhe një gjë tjetër që është e rëndësishme për mua që ta përmend përsëri. Në këto zgjedhje vërtet kemi një mundësi unike për të zgjedhur deputetin e parë nacional me origjinë shqiptare. Për këtë kam nevojë për ndihmën tuaj me crowdfunding (grumbullim parash). Do të doja të mbledh 50,000 CHF deri më 30 qershor për fushatën më interesante dhe më gjithëpërfshirëse në Zvicër. (-> https://bit.ly/spender-islam).
Ne duhet të mobilizohemi dhe të plotësojmë dokumentet zgjedhore në përputhje me rrethanat. Organizohuni, organizoni aktivitete të përbashkëta zgjedhore, mbrëmje zgjedhore, ku do të plotësoni së bashku dokumentet zgjedhore. Vetëm kështu mund të bëjmë histori.
E-Diaspora
-
Ariana Qizmolli, me pjesën “Kërce pak”, në festivalin e vallëzimit, në Winterthur "Si fëmijë të migrantëve nga Kosova, ne u përballëm herët me pyetjen se çfarë do të...
-
Një deputete në Kuvendin e Shqipërisë, me doktoratë austriake
-
Aksident i rëndë në punë, humb jetën 41-vjeçari shqiptar në Itali
-
Pajtim Statovci fiton çmimin prestigjioz “Finlandia” në Stokholm
-
Piloti Blin Hoxha kërkon leje për ulje në aeroportin e Prishtinës në gjuhën shqipe
Jeta në Zvicër
-
Gjykata Federale: Personat mbipeshë tani mund të marrin pension IV Fakti që obeziteti në thelb është i trajtueshëm nuk e përjashton automatikisht një pension...
-
Priten reshje të dendura bore në Zvicër: Këto rrugë tashmë janë mbyllur
-
Zviceranët do të votojnë për natyralizim më të lehtë
-
Më shumë fleksibilitet për të ndryshuar mbulimin e sigurimit shëndetësor në Zvicër
-
Këshilli Federal rekomandon refuzimin e “Iniciativës foie gras”