Portrete të firmave
“Numarics” sfidon gjigantët zviceranë të kontabilitetit e auditimit
Paltforma mediale Albinfo.ch (online&print) prezanton bashkëthemeluesin dhe CEO-në e kompanisë, Kristian Kabashi
“Numarics” është një kompani tashmë e njohur e kontabilitetit, auditimit dhe financave që ka sfiduar edhe gjigantët zviceranë të kontabilitetit. Por, pak kush e di se në krye të saj është një shqiptar. Albinfo.ch prezanton bashkëthemeluesin dhe CEO-në e kompanisë, Kristian Kabashi
Kanë krijuar produkte të kontablitetit online, duke ofruar dixhitalizim të procesit të kontabilitetit me automatizim përmes aplikacionit, e që nga ana tjetër, përbëjnë një nga sfidat më të mëdha për sistemin tatimor zviceran. Mirëpo, ndoshta askush nuk e di se disa nga aktorët kryesorë të kësaj beteje, ishte edhe eksperti shqiptar, i cili po udhëheq tashmë kompaninë zvicerane të kontabilitetit “Numarics”.
Suksesi i kësaj nisme ka sfiduar edhe gjigantët e kontabilitetit dhe auditimit zviceran. Kristian Kabashi është bashkëthemelues dhe në krye të “Numarics”, një kompani zvicerane që tregon për suksesin e kontabilitetit.
Në të njëjtin vit kur u themelua, Numarics mori çmimin “Best of Swiss Apps” në kategorinë Enterprise për zgjidhjen e saj ERP. Në qershor i mblodhi më shumë se 2 milionë franga zvicerane në një raund financimi dhe deklaroi në atë kohë se kompania donte të investonte në një ekip specialistësh, në veçanti.
Së fundmi, në fund të vitit 2022, Numarics i bashkoi forcat me kompaninë A&O Kreston, e cila është njëra ndër kompanitë më të mëdha të ofrimit të shërbimeve financiare në Zvicër, me mbi 70 ekspertë nga fusha e kontabilitetit dhe auditimit.
Për më tepër, lexoni intervistën në vijim:
Si erdhi ideja të krijoni “Numarics”?
Ka mbi një dekadë qe merrem me transformimin e modeleve të biznesit. Asnjëherë nuk e kam parë veten në botën e financave, duke konsideruar kështu si një sektor më se monoton për t’u marrë me të. Mirëpo duke qenë së tepërmi i dhënë pas botës digjitale e duke parë se si e ardhmja po evoluon, pashë këtu një mundësi për të transformuar biznesin e kontabilitetit (përllogaritjes), biznes ky që nuk ka pësuar ndryshime në gati 2000 vjet. I vetmi ndryshim ka qenë lëvizja nga gurët tek letra e më pas nga letra tek Excel. Këtu kam parë një mundësi për të ndryshuar këtë lëmi, gjë e cila është arritur më së miri përmes përdorimit të teknologjisë dhe inteligjencës artificiale e në kombinim me profesionistë të vyer.
Financat janë thjesht të bazuara në Excel dhe Excel është i përbërë nga rregulla, të cilat kanë një model standard. Nëse i kuptoni modelet, ju i kuptoni edhe financat e jeni pastaj të gjendje arrini më shumë, e po ashtu të prodhoni një rezultat të përsëritshëm e shumë kualitativ.
Ka qenë një moment kur një e njohur e imja që punonte si auditore, e duke e parë atë tek punonte si në “mjeshtre e vërtetë e Excel-it”, me gjithë mungesën e diturisë në lëmin e Financave, aty filloi ideja se ka një mundësi për një ndryshim drastik. Vite më vonë jam takuar me Dominique Rey, një kontabilist publik i certifikuar në Zvicër, i cili kishte tashmë përvojë pune me PWC dhe Grant Thornton. Gjatë kësaj kohe ne pamë se kishim idenë e përbashkët për një ndryshim të botës së kontabilitetit. Dominique nuk ishte i dhënë shumë pas teknologjisë dhe operacioneve, duke u bërë me mua kështu një duo perfekte, nga e cila në vitin 2020 edhe doli vendimi për të filluar së bashku me Numarics.
A kishit tashmë një vizion që “Numarics” do të bëhej shumë shpejt kaq e madhe?
Pa dyshim, që nga dita e parë. Të gjithë thoshin se kontabiliteti është punë për njerëz e që ishte e pamundur, por duke parë dhe menduar rreth “Neo-Bankave” që hapeshin gjithandej, diçka nuk shkonte këtu. Edhe biznesi i bankave ishte ngushtë i lidhur me njeriun dhe besimin, por tash shohim çdo ditë se si të gjithë deponojnë paratë e tyre në Revolut apo në banka tjera mobile, e që para se ta provonin më parë një gjë të tillë, atyre iu dukej e pabesueshme.
Unë po ashtu besoj shumë në përvojën e konsumatorit. Njerëzit paguajnë shumë për të pasur prodhime të Apple, jo vetëm pse duken të bukura, por ata i përdorin ato produkte sepse janë shumë të lehta dhe mjaft funksionale.
Të punoni me “Administratorë Financash/Fiduciarë” është sikur të shkoni te dentisti: kjo është secilën herë e dhimbshme, por prapë duhet të shkoni. Unë pata një qasje më ndryshe në këtë rast. Dëshira ime ishte që kontabilistët dhe fiduciarët të bëheshin partnerë biznesi, dikush që të del në krah për t’u bërë më i suksesshëm.
Çfarë e bën të veçantë “Numarics”’?
Ne jemi multiplatforma e parë në botë SaaS Solution që përfshin ekspertë të mirënjohur zviceranë në fushën e kontabilitetit dhe taksave që mbështetet në inteligjencën artificiale.
Ne kemi krijuar një ekosistem ku ju keni gjithçka me vetëm një abonim, e që rrjedhimisht mund të drejtoni biznesin tuaj ashtu si ju doni, por në rast nevoje, me vetëm një klikim, ju keni një ekspert për ndihmë.
Po ashtu, aplikacioni ju ndihmon në organizimin e punës suaj, përfshirë këtu faturimin, menaxhimin e dokumenteve si dhe shumë shërbime të tjera, pasur nevojën për të abonuar software tjetër. Ne jemi Zyrtari i lartë financiar digjital dhe gjuha jonë janë numrat.
Janë me mijëra kompani që menaxhohen nga shqiptarët në Zvicër, a flet edhe shqip “Numarics”?
Patjetër se po, ne jo vetëm që kemi punonjës shqiptarë në Zvicër, ne kemi po ashtu një zyrë në Prishtinë, ku janë të punësuar kontabilistë të certifikuar, e që kanë marrë trajnimet për ligjet e Zvicrës, taksat dhe kontabilitetin. Në rast të dëshirës së klientëve, ata mund të kontaktojnë direkt me ta. Në fund, ata prapë mbikëqyren nga një ekspert në Zvicër. Kualiteti dhe klienti i kënaqur janë të një rëndësie të veçantë për ne.
Çfarë shërbime speciale të auditimin ofron Numarics?
Duke operuar në Zvicër, Numarics ofrom një gamë të gjerë shërbimesh, përfshirë këtu kontabilitetin, arkivimin e mençur të dokumenteve, gjenerimin e faturave, dërgesat postare, si dhe një tabelë ku shfaqen raportet mujore. Udhëtimi i përdoruesve fillon me inkorporimin në Zvicër, shërbim ky që ofrohet falas për të gjithë banorët vendorë dhe ndërkombëtarë, ku mbulohet edhe regjistrimi zyrtar i kompanisë, pajisja me certifikatë noteriale, si dhe përgatitjet e nevojshme për dokumentet inkorporuese nga një administrator i besueshëm.
Ndihmesat e tjera teknologjike të Numarics, siç janë leximi i karaktereve optike që kontrollohet përmes aplikacionit nga përdoruesi si dhe rezervimi i automatizuar, janë të shoqëruara nga kontrolli i kualitetit, këshilla shtesë për biznes si dhe deklarimin e taksave përmes ekspertëve të kontabilitetit të Numarics, që veprojnë në Zvicër.
Procesi është më se i thjeshtë dhe mjaft intuitiv. Çdo kush mund të bëjë kontabilitetin e tyre me Numarics App, qoftë edhe nëse janë në lëvizje.
Ju keni hapur zyrë edhe në Prishtinë, a është për çështje Outsourcing apo synoni edhe tregun e Kosovës?
I kam 3 arsye pse jam i vendosur edhe në Kosovë:
- Duke qenë edhe vetë shqiptar, ndiej për obligim t`i jap diçka vendlindjes sime.
- Është pothuajse e pamundur për të gjetur kontabilistë profesionistë në Zvicër. Kosova ka një numër shumë të madh të të rinjve shumë inteligjentë. Rreth 30’000 studentë në vit diplomojnë për Administrim Biznesi, ky është një burim i madh për talente për ne, përderisa ne jemi duke punuar me SkaaK, për të zhvilluar kontabilistët e së ardhmes.
- Në rritjen e Numarics në tregjet e tjera, Kosova pa dyshim do të jetë njëra ndër to. Dua që të shoh më shumë se si kompani nga Zvicra dhe Kosova bëjnë biznes së bashku, e nëse ato e përdorin Numarics, atëherë kjo mund të përkthehet në një histori më se të suksesshme.
Mbase mund të jetë një mundësi e mirë për të rinjtë kosovarë që të specializohen në ndonjë sektor të caktuar të këtij profesioni?
Kosova, për zviceranët, fatkeqësisht më shumë është e njohur si një vend i Call Center. Qëllimi im është që të ndryshoj këtë, duke shndërruar Kosovën në një qendër të ekselencës sa u përket shërbimeve financiare. Mendoj se me rritjen e pritur të Numarics, do të ketë një mundësi shumë të mirë për shumë studentë të zgjuar e ambiciozë, që të bëjnë një karrierë në kompaninë tonë të rritemi së bashku.
Nga sistemi konvencional i kontabilitetit, në atë digjital, sa është i vështirë ky kapërcim?
Është më shumë çështje e mendësisë. Ka ende klientë që dëshirojnë ta takojnë kontabilistin e tyre personalisht, e ne për këtë punë kemi 9 zyra në pjesën e Zvicrës gjermanofolëse. Por, për shumë të rinj, të cilët tashmë janë mësuar për të abonuar modele si dhe të përdorin aplikacione për të bërë punën e tyre, Numarics është si një dhuratë për ta. Kur fillova me Numarics, gjithmonë pyesja veten se nëse Apple do ta transformonte kontabilitetin, si do të mund ta bënin një gjë të tillë?
Keni bashkuar forcat me kompani të njohura zvicerane nga fusha e kontabilitetit dhe auditimit, çfarë synoni nga ky fuzionim?
Vendimi i para 6 muajve kur morëm përsipër A&O Kreston Switzerland, ka qenë ndër vendimet më të mira. Praktikisht me këtë lëvizje ne u pasuruam me disa nga ekspertët më të mirë zviceranë në lëmin e kontabilitetit, pagesave dhe taksave, ekspertë që na ndihmojnë të përmirësojmë produktin tonë. Pra ishte një vendim fitimprurës.
Pas këtij bashkimi, sa është numri aktual i klientëve?
Prej mbi 10´000 kompanive të kontabilitetit të regjistruara në Zvicër, ne gjendemi në mesin e 10 më të mirave. Klientët tanë tashmë kanë kaluar mbi 3000, përderisa qëllimi është që ky numër të rritet tutje.
Cilat janë projektet në vijim të kompanisë “Numarics”?
Ne posa jemi përzgjedhur në mesin e 10 Kompanive për Teknologji Financiare (Fintech) në Zvicër, me gjasa të mëdha që deri në qershor t’i prijmë kësaj liste. Ne kemi fituar po ashtu edhe çmimin për Aplikacionin më të mirë zviceran (Best Of Swiss Apps awards) në kategorinë e Ndërmarrjeve në vitin 2021.
Ne kemi lidhur një marrëveshje bashkëpunimi me UBS, me të cilët tashmë kemi partneritet zyrtar dhe do të vazhdojmë në thellimin e këtij bashkëpunimi.
Jemi në përmbyllje të procesit të kapitalit startues prej 10 milionë dollarësh, i cili do të na ndihmojë në trajektoren e rritjes.
Së fundmi, ne kemi rilansuar aplikacionet tona, duke i rindërtuar edhe një herë nga fillimi, me qëllimin e vetëm që klientët tanë të kenë përvojë më të mirë gjatë përdorimit të shërbimeve tona.
Synojmë që brenda një periudhe dyvjeçare, ne si kompani të arrijmë të jemi numër 1 në lëmin e Kontabilitetit në Zvicër, rrugë në të cilën tashmë jemi nisur.
Të tjera nga Portrete të firmave
E-Diaspora
-
Frankfurt: Agnesa Kolica, fituese e “Çmimit për Integrim” Ky çmim është një shembull i shkëlqyer për diasporën tonë...
-
Gjermani: Festohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Një yll në ngritje: Fiona, sopranoja e verbër, me zë brilant
-
Londër: Shënohet 112-vjetori i Pavarësisë së Shqipërisë
-
Pesë gjeodetë nga Kosova magjistrojnë në Vjenë
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Më shumë fuqi vjen nga dielli Gjithnjë e më shumë energji elektrike e përdorur në Zvicër vjen nga energjia diellore. Shifrat nga...
-
Nesër, në Cyrih, protestë e heshtur kundër paraqitjes së Vuqiçit në Zvicër
-
Realizimi i pagës minimale të planifikuar në Cyrih ballafaqohet me pengesa
-
Zvicra përpiqet të tërheqë sa më shumë milionerë
-
Thirrje për kujdes në blerjen e vinjetës së autostradës në Zvicër