Literaturë
Nga vizita e qytetit antik Troja, në Çanakkala të Turqisë
Mbresa udhëtimesh
Duke i lexuar veprat e Homerit, si i ri, kisha përshtypjen sikur Troja i përkiste një vendi të veçantë, ku kanë jetuar njerëz të ndryshëm nga ne, pothuajse të mbinatyrshëm, ku ishte zhvilluar një betejë e madhe, e paimagjinueshme për rezonin tonë, thjesht, kisha krijuar përshtypjen e një qyteti jashtëtokësor, që nuk i përket realitetit tonë të prekshëm, e rrjedhimisht edhe të paarritshëm. Me kohë, duke lexuar më shumë për Trojën dhe duke hulumtuar për vendndodhjen e saj, ndryshova perceptimin dhe sikur m’u bë më e afërt, më reale dhe më e arritshme. Diçka e papërballueshme më tërhiqte drejt atij vendi, kështu që, në pritje të momentit për ta vizituar, 28 maji 2023 ishte dita kur arritëm në aeroportin e Stambollit dhe nga aty me një veturë të marrë me qira vijuam rrugën drejt Çanakkalasë. Pas më shumë se 5 orë udhëtimi arritëm në vendbanimin antik Troja. Një kompleks i rregulluar, me shtigje të drunjta të përkufizuara për ecje, me tabelat orientuese dhe informuese, ku përreth qëndronin themele, mure të larta, struktura mermeri me gdhendje të përsosur, me mbishkrime antike, rrënoja dhe themele gurësh që dëshmonin për antikitetin. Një fuqi tërheqëse kishin këta gurë, ky vend, këto mure, këto themele, të cilat i kishte mbuluar heshtja dhe qetësia. Kjo ishte pamja e sotme e një vendbanimi të lashtë me një histori sa të lavdishme, po aq mistike, sa të përbotshme, po aq rajonale, sa të vërtetë, po aq dyshuese!
Ku qëndron e vërteta e madhështisë së këtij qyteti antik?
“Përralla” për Trojën pa dyshim se ka përhapje globale dhe, si e tillë, zgjon kureshtjen e vizitorëve dhe të interesuarve të tjerë për antikitetin. Ka dy perceptime për të: ndjesia e paravizitës, që të mbështjellë me atmosferën e një madhështie përmasash botërore, e krijuar nga leximet dhe krijimet e tjera kinematografike për të, si dhe, nga ana tjetër, përballja me gjendjen reale të saj, me pamjet e mbetura nga ajo kohë, me pozicionin, konfigurimin, përmasat, largësinë nga deti dhe faktorë të tjerë gjeografikë, arkeologjikë dhe historikë, që, në njëfarë mënyrë, fare pa pritur, e zbehin madhështinë e imagjinuar!
Gjithsesi lind dyshimi në është kjo Troja e Homerit? Sado që ka arkeologë që kanë dhënë mendime të ndryshme për mundësinë dhe shkaqet e shkatërrimit të Trojës, dominon gjykimi të ketë qenë pikërisht lufta që frymëzoi veprat letrare që nga Homeri, edhe pse dihet që letërsia nuk paraqet fakte bindëse për historinë. Në synimin si ta gjeja madhështinë dhe sidomos si ta zgjidhja enigmën e ekzistencës së betejës së Trojës, sikur më lindi ideja se legjenda e madhështisë së Trojës ka ardhur nga shkatërrimi e jo nga ndërtimi, kur tash ka mbetur vetëm rrëfimi për të. Nga ana tjetër, nëse trojanët kanë qenë aq të zotë sa t’i përballojnë një rrethimi të egër 10-vjeçar, nga një ushtri elitare e kohës, si është e mundur të tregohen aq naivë dhe të bien pre e një “dhurate” prej druri, në formën e një kali, pavarësisht përmasave dhe formës artistike të tij! Si mund të pranohet që një armik aq brutal dhe i pamëshirshëm, që synim të vetëm kishte pushtimin e qytetit, do të bëhej aq zemërgjerë dhe, i përballur me dështimin, do t’ua linte si dhuratë një kalë prej druri, në shenjë falënderimi për humbjen, pa një “hile” të paramenduar! Dhe, si të arsyetohet që një pushtet i brendshëm i qytetit me prijës të dëshmuar në organizim, planifikim dhe rezistencë të përsosur dhe të pathyeshme ndaj sulmeve të njëpasnjëshme për aq shumë vjet, të thyhej, të shpartallohej dhe të dorëzohej aq lehtë pothuajse brenda një nate dhe i tërë qyteti të shkatërrohej deri në themel brenda një dite! Këto dhe shumë rrethana të tjera, sado të rëndësisë dytësore të jenë, sikur ta ngjallin idenë e një atmosfere mitologjike, e mbështjellë me shumë paqartësi, deri te kontestimi i “të vërtetës” së luftë së Trojës, apo i peshës reale të saj! Aq më shumë kur nga një lexim i tashëm i veprave të Homerit mund të gjesh shumë shpërputhje dhe mospërkim të realiteteve përshkrimore të atëhershme me realitetin në themelet e Trojës së sotme.
Sidoqoftë, pa dashur të depërtoj më tej në “të vërtetën” e ngjarjeve të kohës, Troja paraqet një nga mbetjet arkeologjike më të rëndësishme të përmasave botërore dhe si e tillë meriton të vizitohet.
“Kali i Trojës” dhe ndjesia që të ngjallë
Pra, ajo që e shtyn njeriun ta vizitojë një vend të tillë arkeologjik është pikërisht madhështia mistike e saj, trajtimi planetar i ngjarjes dhe pikëreferenca turistike globale e vizitorëve. Vizitorë të shumtë, pothuajse krejt të huaj, me autobusë dhe vetura ia kishin mësyrë atë ditë Trojës. Në bisedat e rastësishme me ta kisha kureshtjen ta kuptoja opinionin e tyre për këtë qytet antik, në përballje me lavdinë e madhështisë së tij. Nga disa prej tyre nxora përfundimin se ka mospërputhje në këtë çështje, por sidoqoftë, kjo nuk e zbeh rëndësinë e të vizituarit të saj. Ata ndjeheshin të kënaqur që po e realizonin këtë mundësi, duke e konsideruar si një vend antik të rëndësishëm. E papritur ishte renovimi i Kalit të Trojës, simbolit qendror të këtij vendi, i cili ishte i tëri i mbështjellë me masë plastike mbrojtëse, e cila pamundësonte dukjen e tij, kështu që zhgënjimi i të gjithë vizitorëve ishte i shprehur ato çaste.
E unë, derisa po qëndroja më gjatë dhe sodisja me një sy kritik atë arkitekturë strukturash arkeologjike, riktheja në kujtesë tërë literaturën për Trojën, për aq sa kisha lexuar dhe kisha mbajtur mend, natyrisht. Po, se ka qenë një vendbanim i lashtë në këtë vend, ishte diçka që shihej, se ka përjetuar peshën e ngjarjeve të kohës, gjithashtu, por kurrsesi të gjeja një harmoni mes pozicionit të saj jostrategjik (sipas këndvështrimit tim, gjykuar sipas perspektivës letrare) dhe rëndësisë së saj historike përmasash botërore. Në aspektin tregtar, vendndodhja e Trojës, në hyrje të Dardaneleve, një ngushticë që lidh Detin e Zi me atë Egje, ka pasur pozicion kyç si për tregtinë detare, ashtu edhe për atë tokësore, pasi ndodhej përgjatë rrugës midis Anadollit dhe Evropës.
Sidoqoftë, i zhytur në dilemat e vërtetësisë historike, Troja, me lashtësinë e saj të rikthen në atmosferën e antikitetit, duke dëshmuar ekzistencën e perandorive të fuqishme dhe, më shumë se aq shpërfaq dhe pangopësinë, iracionalitetin dhe barbarinë njerëzore. Këtu u kthjella dhe sikur arsyetova: po sot, pas më shumë se tre mijë vjetësh, a thua janë zhdukur këto tipare në shoqërinë njerëzore! Prandaj, ndryshova këndvështrimin analitik dhe iu ktheva ndjesisë sime të çastit: i lumtur që arrita ta realizoj këtë vizitë, sikur u obligova ta përplotësoj me vizitat e ardhshme të Akropolisit në Athinë dhe Romës antike, në mënyrë që të arrij në një përfytyrim sa më të përafërt me të vërtetën e antikitetit.
Autor: Muhamet Reçica
E-Diaspora
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës Nga Neymar te Tripleksi më i Shtrenjtë në Botë: Historia e Investimeve që Ndërtojnë Standarde të...
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
-
Vjenë
Valbona Naku: Një jetë kushtuar violinës
Jeta në Zvicër
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025 Që nga 1 janari i vitit 2025, pretendimet e së drejtës publike kundër personave të regjistruar...
-
A duhet të bëhen të detyrueshme gomat e dimrit në Zvicër?
-
SBB pret fitim të njëjtë si vitin e kaluar
-
Shumë pista skijimi në Zvicër kanë hapur sot dyert
-
Këshilli Federal dëshiron të përfshijë kompanitë zvicerane në rindërtimin e Ukrainës