Kosova

Acarimi i raporteve me SHBA-në, opozita në Kosovë me reagime të ashpra ndaj Kurtit

Pasojat e para të përplasjeve në veri Kosova i ndjeu sot kur SHBA vendosi të largojë FSK-në nga gara Defender Europe ’23.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i partive opozitare në Kosovë të cilët kanë kërkuar nga kryeministri Albin Kurti që në mënyrë urgjente të ndalojë veprimet që përplasin Kosovën me SHBA-në. Madje kishte edhe të atilë që kërkuan dorëheqjen e tij duke vlerësuar se po rrezikon raportet me aleatin më të fuqishëm të vendit..

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës vlerëson se situata e krijuar kërkon qasje të përgjegjshme të institucioneve të Kosovës e jo veprime populiste të momentit që mund të sjellin pasoja afatgjata për të ardhmen e vendit.

“Partia Demokratike e Kosovës fton të gjithë qytetarët e Kosovës që të ruajnë qetësinë dhe të mos bëhen pjesë e çfarëdo manipulimi apo sjelljeje të dhunshme e cila cenon rendin, ligjin dhe demokracinë në vendin tonë dhe që rrezikon të ketë pasoja afatgjata për shtetin tonë”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës sulmet e bandave kriminale të drejtuara ndaj Policisë së Kosovës, gazetarëve raportues e ushtarëve paqëruajtës të KFOR-it tregojnë qartazi tendencat destabilizuese të Serbisë ndaj Republikës së Kosovës, institucioneve tona e vet trupave të NATO-s me mision në Kosovë.

“Por e panjohur, zhgënjyese dhe së këndejmi e rrezikshme e me pasoja afatgjata për vet shtetin tonë, mbetet qasja e Kryeministrit, Qeverisë së Kosovës, dhe institucioneve të tjera drejtuese në raport me aleatët historikë të Republikës së Kosovës në trajtimin e këtij provokimi në Veri. LDK-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës që në këto momente kritike për vendin dhe të ardhmen euroatlantike të zgjedhë maturinë politike para popullizmit afatshkurtër. Në vend të euforisë së grupeve partiake të zgjedhë rrugëtimin e vendosur euroatlantik të shtetit bashkë me aleatët. Arritjet historike të Kosovës, nga angazhimi ynë për liri, pavarësi e demokraci e deri tek përpjekjet e deritanishme për forcimin e shtetit, kanë shenjën e koordinimit dhe ecjes së përbashkët me aleatët tanë. Devijimi nga një ecje e tillë është devijim nga vet rrugëtimi euroatlantik, siç dhe është shërbim ndaj vetë kundërshtarit të shtetit tonë”, thuhet në reagimin e LDK-së transmeton albinfo.ch.

Ndërsa kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj ka thënë se përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-së “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale.

“Albin Kurti e Vjosa Osmani për më pak se tre vjet në pushtet, nuk kanë lënë sukses pa e kthyer përmbys. Ata për kaq pak kohë e kanë kthyer Kosovën dhjetë vjet mbrapa. Përjashtimi i Kosovës nga ushtrimi i NATO-s “Defender Europe 2023” është alarm për sigurinë tonë nacionale. Duhet të jesh shumë dritëshkurtër që në këtë kohë kaq delikate, të armiqësohesh me krejt botën demokratike?”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se kryeministri Kurti po tenton t’i rrëzojë miqësitë dhe aleancat për të cilat kemi investuar dekada për t’i krijuar.

“Shtetet investojnë me dekada për të krijuar miqësi dhe aleanca. Në rastin tonë, del një Albin Kurti e tenton t’i rrëzojë ato. Ka pasur edhe të tjerë në historinë tonë që kanë dashur t’i përmbysin këto aleanca, por Kosova ka qenë më e madhe se sa vogëlsia e tyre dhe ka triumfuar. Ajo nuk ka alternativë tjetër përpos të triumfojë edhe këtë herë”.

Sipas Haradinajt, Kurti e ka vetëm një shans në jetën e tij që t’ia bëjë një të mirë Kosovës.

“Ai e ka vetëm një shans, që njëherë në jetën e tij t’ia bëjë një të mirë Kosovës! Të japë dorëheqje qysh sot!”, ka përfunduar Haradinaj/albinfo.ch