Opinione

Kronologjia qeverisëse dhe zhvillimi perëndimor

Kudo dhe kah do që viheshin në kontakt me qytetarët evropian, përballeshin më një kulturë të qetë, më një sjellje qytetarie si në rrugë, komunë, në bankë, në institucione shtetërore, apo teatër e koncerte të ndryshme

Shkruan: Emrush T.Shkodra

KAPTINË I

Është interesant fakti se në bisedë e sipër një miku im kujton se: “para me shumë se 40 viteve, shqiptarët shkonin në perëndim nëpër shtete të ndryshme Evropiane e më larg, vendoseshin dhe jetonin atje. Shihnin mënyrën e jetesës se qytetarëve perëndimor nga afër në ato shtete ku vendosnin të jetonin. Përballeshin me kulturën, mënyrën e jetesës, sjelljet e gjithçka që lidhej me një jetë normale të njeriut në perëndim.

Një pjesë e atyre në vend që këtë kulturë ta zhvendosnin në vendin e tyre në atdheun e tyre, ata bëheshin edhe më të egër kur ktheheshin në atdhe. Silleshin konform rregullave të tipareve patriarkale që ekzistonin në trojet shqiptare, ndjeknin rregullat primitive pothuajse në të gjitha sferat sa ishin në atdhe. Praktikisht ata nuk dëshironin që një kulturë të parë, të fituar apo të përjetuar ta sistemonin në vendlindje e tyre.

Thoshte një ndërmarrës që kishte zhvilluar biznes përgjatë viteve të 90-ta që kishte një depo tjegullash, blloqe, qeramikë e kësi materiale që lidheshin me ndërtimin e objekteve kur e pyesnin atë se si po shkon puna? ai përgjigjej ‘’perfekt, shumë bukur! Ku mos me shkua bukur e mirë biznesi kur shqiptarët 4 mijë bllok merrnin për muret e oborrit, 5 mijë bllok për shtëpinë, 4 mijë bllok për plemen dhe ahurin e kafshëve, 500 bllok për bunarin, dërrasat, llamperia e kështu me radhë’’!

Pra, në perëndim nuk shihte kurrë pothuajse mure të tilla të mëdha që izolonin shtëpitë edhe nga dielli se lëre më nga njerëzit, për shkakun se shkonin mbi 2-3 metra lartësi.

Kudo dhe kah do që viheshin në kontakt me qytetarët evropian, përballeshin më një kulturë të qetë, më një sjellje qytetarie si në rrugë, komunë, në bankë, në institucione shtetërore, apo teatër e koncerte të ndryshme.

Por, jo!

Nuk shpërfaqet e mira ndër shqiptarë, ne vetëm vëllain (shqiptarin) nuk dëshirojmë ta shohim mirë, s’ka gjë për tjerët?

Nejse!

KAPTINË II

Kishim shkuar në 2007-ën në Vjen me Odën Ekonomike. Vizita kishin karakter pune, afarist të ndryshëm, ndërmarrës dhe prodhues do të qëndronin për 4 ditë me radhë në Austri. Atje kishte rastisur të shohim qytetin pothuajse krejt gati se. Kishim udhëtuar me tren, me taksi, me bus e po ashtu edhe me tramvaj.

Çfarë të themi një qytet me shumë ngjyra, me shumë stil dhe i hapur. Kultura të ndryshme arkitekturale, njerëz që shiheshin të jetonin në lumturinë e tyre që kishin ofruar autoritetet në ndërtimin e qytetit.

Një qytet ku jetonin në harmoni klasika me modernen, vendi ku gjenin rehatinë të gjitha etnitë e botës, e veçanërisht studentët që gravitonin nga mbarë planeti.

Një ndërmarrës që shoqëronte grupën disi na kujtoi kohën kur ishin negociatat, bisedimet që ishin zhvilluar në Vjenë mbi pavarësinë e kushtëzuar të Kosovës. “Ore thoshte ai, a thua ata prijësit tanë a kanë shikuar kah kanë ecur qytetin apo jo?

Si ka mundësi që nuk kanë importuar asnjë të mirë nga ky qytet? Çfarë rregullie, çfarë kushte për jetesë. Çfarë mundësi të mira për të zhvilluar biznes, e për të kryer studimet.

Si ka mundësi, sërish me habi pyeste miku ynë?

Iknin nga qytetet ku reduktimet e rrymës ishin 8 orë me terr dy orë me dritë. Baltë e pluhur në të gjitha anët e vendit. Gropa rrugëve që ishin në atë kohë në rrugët e Kosovës, pos me thënë ishin në Afrikë apo s’di ku me thënë që është diku keq!

Shkonin në një qytet ku ishte plot gjallërim, drita 24 orë, rrugë të ndriçuara e të shtruara gjithandej, edhe arat i kishin bërë me asfalt. Pastërtia në një nivel shumë të lartë nëpër rrugët e qytetit dhe rrethinës se tij.

Bosët nga autoritetet e vendit, qëndronin 7-10 ditë në Vjenë, ktheheshin sërish në vendin ku qeverisnin vet, në katrahurën që e kishin krijuar vet.
Pra vet e qeverisnin vendin, vet e ndërtonin dhe e lenin në atë pozitë vendin e tyre kur dilnin jashtë kufijve, kurse vazhdonin të krekoseshin nëpër rrjetet sociale përmes fotove duke proklamuar jetën e tyre prej xhentëlmenësh posa hipnin në aeroplan.

KAPTINË III

Po thuajse sot pas 15 viteve jemi në të njëjtin stad!?

Autoritetet dalin, ecin, shëtisnin me punë e pa punë gjithandej nëpër botë. Evropë, Amerikë, Japoni, Zvicër, Gjermani, Francë e ku jo?

Shohin si punohet, shohin si kryhen punët profesionale edhe ato të vrazhda nëpër punishte të ndryshme qoftë në rrugë, kanalizime, ujësjellës, ndërtim etj.

Shohin po ashtu se si shtetet në perëndim e kanë eliminuar po thuajse tërë burokracinë nëpër institucionet e shtetit, duke bërë një njeri të vetëm ti kryej shumicën e punëve që lidhen me dokumentacionin dhe jetën e qytetareve.

Në shumë shtete ndërrohen ministrat e ndërrohet qeveria qoftë ajo lokale, qoftë ajo qendrore e as që merret vesh te qytetarët, sepse stadi i tyre tani më ka kaluar në një pozicion tepër lëverdisësh për një jetë normale.

Në Kosovë, vazhdon të rritet burokracia, për një dokument të thjeshtë ke për ti kaluar 3-4 sportele. Ke për tu përballur me padrejtësi e parregullsi duke parë njerëzit që futen për të kryer punë me të njohshëm, përmes mitos e formave tjera të ndryshme antiligjore!

Autoriteti vazhdon të paraqes veten dominant para qytetarit. Autoriteti vazhdon të injoron e nëpërkëmbë taksapaguesin, pra e shpërfill e nënçmon atë që e paguan!

Të gjitha hyrjet e qyteteve janë bërë tmerr për zhvillim normal të trafikut, në disa qytete duhet presësh me orë të tëra nëpër kolona për shkakun e hapjeve të punimeve të vrazhda, ku depërtimi i qytetarëve, bizneseve e vizitorëve në shumicën e qyteteve është bërë pothuajse e  pakalueshme. Shumë biznese janë dëmtuar tej mase nga amortizimi i pajisjeve të punës, të transportit, vonesa në porosi, humbje në kohë etj.

Por, më brengosëse është ajo pjesa kur të gjithë janë me vesh në krah si thuhet për shkakun e vonesave të këtyre punimeve në sezonin e verës, atëherë kur pjesa dërmuese e qytetarëve në Kosovë e presin me padurim, e sidomos pjesa afariste.

Mirë, këtu normalisht në pjesën më të madhe përfiton qeveria dhe autoritetet nga dyndja e remitancave, por thamë më lartë, ata nuk frikohen nga populli, populli frikohet nga ta…

Ata përdorin aparatin shtetëror për të frikuar, përçarë dhe mbajtur nën kontroll pjesët lëvizëse të mundshme të qytetarëve për ndryshim.

Kështu kishte ndodh edhe me qeverisjet e më hershme, kjo mund të shpjegohet lehtë, vetëm nëse shohim kronologjinë e qeverisjeve në këtë vend.

Siç thuhej nga presidenti i 3 amerikanë se : Kur populli ka frikë nga qeveria në atë vend ka tirani, kur qeveria ka frikë nga populli në atë vend ka liri”, në Kosovë duket që autoriteti vazhdon të mbajë nën trysni qytetarët nga sejmen e segment të caktuar.

Nuk dihet ndoshta donë edhe pak kohë ky mentalitet të balancohet, kjo do të ndodh kur të vetëdijesohet taksapaguesi.

KAPTINË IV

Çfarë të themi më shumë?!

Përveç që të pyesim edhe ne si ai miku ynë më lartë?!

“A e shohin udhëheqësit tanë këtë rregull, këtë organizim perfekt, këtë mënyrë të jetesës së qytetarëve Evropian, Amerikan?”

Çfarë shohin këta njerëz që përfaqësojnë autoritetin e Kosovës, cilin do nivel kur janë jashtë Kosovës?

Çfarë shohin kur janë në Vjenë, Munih, Zurih, Washington, Bruksel, Tokio, Shangai, Stamboll, Romë, Paris, New York, Londër, Frankfurt etj.?

Çuditërisht!

Ne, akoma mundohemi ta ngushëllojmë veten tonë kinse po flasim për chatGPT kinse po dimë çfarë është AI (inteligjenca artificiale), çfarë është treni e tramvaji e si funksionon ai.

Flasim për veturat me rrymë, bile po flasim edhe si në të ardhmen veturat do të fluturojnë dhe se do të krijohet një ligj që rregullon trafikun ajror se sa orë mundet të qëndrojnë në ajër këto makineri.

Po shohim tek vijnë robot të prodhuar nga kompani te mëdha, të cilat pastaj këto kompani furnizojnë me informata dhe po punohet  në drejtimin e ecjes së pavdekësisë virtuale.

Bile po shkojmë deri aty sa po flasim edhe si do të përjetojmë një internet falas nëpër botë, e këtë do të na mundësoi rrjeti i energjisë elektrike që do të shpërndahet përmes valëve (WIFI).

Nejse, nejse!

Vendi mbaroi nga pluhuri dhe balta. Vendi është përfshirë në udhëheqje nga një injorancë e paparë e dëgjuar deri më tani.

Njerëz që meditojnë narcizmin e duke luajtur rolin e të gjithë dijshmit. E n’ fakt në momentin kur mendon se din diçka, atëherë nuk din asgjë thuhet.

Vendi kishte rënë e vazhdon ti bien poshtë siç thuhet nga drejtues amator e të padijshëm që kishin udhëhequr këtë vend, e si duket po vazhdon e njëjta rrugë, në mos me thënë edhe më keq!

Qeverisje me sjellje paditurie dhe mentalitet të para 40 viteve, lexoje fillimin e artikullit.

EPILOGU:

S’ kemi si të mos e kujtojmë Azem Shkrelin në këtë rast kur thoshte: “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”

Dikush le ta kujton këtë thënie më shpesh, sa më shpesh!

Për albinfo.ch