Lajme
FMN i bën thirrje Bankës Qendrore Evropiane të vazhdojë me rritjen e normave të interesit
Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) i bëri thirrje Bankës Qendrore Evropiane që të vazhdojë të rrisë normat e interesit deri në mesin e vitit 2024, dhe kërkoi nga ministrat e Financave të Bashkimit Evropian të ashpërsojnë politikat fiskale përmes veprimeve të bashkërenduara për të ulur nivelin e inflacionit.
Kreu i FMN-së për Evropën, Alfred Kammer, tha se niveli i lartë i inflacionit është shqetësimi më i madh.
Ai këto komente i bëri më 28 prill para një takimi me ministrat e Financave të BE-së dhe guvernatorët e Bankës Qendrore Evropiane.
“Rekomandimi ynë kryesor, sa i përket politikave, është ta mposhtim inflacionin dhe kjo nënkupton se duhet të përdorim instrumentin e politikës monetare. Për Bankën Qendrore Evropiane kjo nënkupton shtrëngim të mëtejmë, për një periudhë më të gjatë, ne vlerësojmë deri në mesin e vitit 2024, në mënyrë që të ulet inflacioni deri në synimin e caktuar diku në vitin 2025”, tha Kammer.
“Inflacioni është taksë, veçmas për të varfëritë, dhe ne duhet ta luftojmë”, shtoi ai.
Inflacioni në 20 shtetet që përdorin euron ishte 6.9 për qind në mars – krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak – por, inflacioni bazë, që përjashton luhatjet e mëdha në çmimet e energjisë dhe ushqimit, ishte 7.5 për qind.
Për të ulur inflacionin, Banka Qendrore Evropiane ka rritur në mënyrë agresive normat e interesit, duke i çuar ato nga zero sa ishin në mesin e vitit 2022, në 3.5 për qind në mars të këtij viti, por tregjet presin që kjo politikë të vazhdojë përtej vitit 2023.
Kammer tha se ministrat e Financave të BE-së duhet të ndihmojnë Bankën Qendrore Evropiane duke reduktuar stimujt fiskalë për ekonominë që ata përdorën gjatë pandemisë COVID-19 dhe vazhduan me aplikimin e tyre gjatë krizës së kostos së jetesës të shkaktuar nga pushtimi rus i Ukrainës.
“Inflacioni nuk mund të luftohet vetëm nga Banka Qendrore, na duhen politika fiskale që e mbështesin atë”, tha Kammer dhe shtoi se një ulje e deficitit buxhetor në shtetet e BE-së nuk u jetësua për shkak se pakot e ndihmës, që qeveritë dhanë për qytetarët për t’u përballur me çmimet e larta të energjisë, ishin në fuqi për një periudhë më të gjatë.
“Prandaj, ne tani rekomandojmë, pasi çmimet e energjisë po bien … që pakot e kostos së jetesës të mos aplikohen apo që ato të jenë më të shënjestruara”, tha ai.
Çështja e balancës midis politikave monetare dhe fiskale, si dhe inflacioni janë në agjendën e bisedimeve të ministrave të Financave të BE-së dhe guvernatorëve të Bankës Qendrore, të cilët do të takohen në Stokholm të premten dhe të shtunën./rel
E-Diaspora
-
Edi Rama sot takon diasporën në Londër Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, të dielën do të mbajë tubim me diasporën shqiptare në Londër....
-
Dubai: Firma shqiptare e patundshërive me ofertë për investitorët shqiptarë të Zvicrës
-
Shoqata “Bashkimi” nga Usteri organizoi festë kushtuar Pavarësisë së Shqipërisë
-
Turi me diasporën, Rama nesër takim me shqiptarët e Londrës
-
Gala koncert në Prishtinë me sopranon Marigona Qerkezi dhe tenorin Saimir Pirgu
Jeta në Zvicër
-
Zvicër: Mbi 12,000 raportime për fyerje Gjatë dhjetë vjetëve të fundit, raportet për fyerje në Zvicër janë rritur me 64 për qind....
-
Çfarë nisma të tjera votojnë kantonet dhe qytetet në Zvicër?
-
Zvicra voton për katër propozime kombëtare sot
-
Qeveria federale bën thirrje për kujdes: Rrugët janë të rrëshqitshme
-
Ndjekjet penale dhe falimentimi: Rritje e rrezikut për të vetëpunësuarit nga viti 2025