Kosova

Suedia në mesin e 5 donatorëve më të mëdhenj në Kosovë

Shteti i Suedisë radhitet në top 5-shen e donatorëve në Kosovë. Për mbështetjen që i ka dhënë Kosovës këtij vendi sot i është shprehur mirënjohje nga kryeministri Albin Kurti i cili ka takuar ministrin e Punëve të Jashtme të Suedisë, Tobias Billström. Me të Kurti bisedoi për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Suedia është në mesin e top 5 donatorëve më të mëdhenj në Kosovë, duke dhënë kontribut të çmueshëm në fuqizimin e kapaciteteve të administratës publike, në përgatitjen dhe hartimin politikave për barazi dhe mbrojtjen e mjedisit, dhe promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në takim u diskutua për marrëdhëniet dypalëshe shumë të mira dhe miqësore ndërmjet Kosovës dhe Suedisë. Kryeministri Kurti e njoftoi ministrin Billström për progresin e vendit dhe arritjet e qeverisë. Ai tha se Kosova është partnere dhe mike e qëndrueshme e Suedisë, me të cilën ndanë vlera të përbashkëta demokratike dhe orientim të përbashkët euroatlantik. Të dyja palët shprehën interesimin për përafrimin dhe thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve bilaterale. Me këtë rast, u theksua rëndësia e Odës Nordike Ekonomike e cila pritet të hapet së shpejti dhe roli që ajo do ta ketë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik dhe shkëmbimeve tregtare”, tha Kurti.